E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni veror, gjobiten dhe mbyllen pika shitjeje ushqimesh

Elbasan- Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Elbasan, një institucion në konsolidim, ka nisur një sërë kontrollesh nisur edhe nga një plan masash për sezonin turistik. Drejtori i këtij autoriteti, Julian Marku, thotë se specialistët e këtij institucioni janë tërësisht të angazhuar për të mbrojtur konsumatorin nga ushqime të pa sigurta. “Kemi hartuar një plan masash të detajuar, bazuar në analizën e riskut mbi kontrollin e subjekteve që tregtojnë produkte ushqimore. Kemi ngritur dy grupe pune që operojnë në të gjithë qarkun. Objekt i kontrollit kanë qenë kryesisht subjektet që prodhojnë e tregtojnë produkte me origjinë shtazore, si mish sallam, qofte, qumësht dhe nënproduktet e tij, vezë etj. Pasi këto llogariten edhe ushqimet më të ndjeshme ndaj luhatjes së temperaturave. Gjatë periudhës maj-qershor janë realizuar 216 kontrolle si dhe janë analizuar 67 mostra pranë laboratorit rajonal të ushqimit. Për tejkalim të afateve të përdorimit si dhe devijim nga treguesit fiziko-kimik dhe bakteriologjik janë bllokuar dhe asgjësuar 3.65 kv ushqime të pasigurta. Janë kontrolluar restorantet e fast-food-et si dhe çdo ambient tjetër ku shërbehen pije freskuese, birrë, akullore apo produkte të tjera pastiçerie. Po kështu janë nën kontrollin e vazhdueshme të ekspertëve pishinat dhe pikat e tregtimit të ushqimeve brenda tyre”. Drejtori Marku thotë se janë vendosur disa gjoba dhe është vendosur mbyllja e aktivitetit për biznese që kanë shkelur rëndë kriteret e tregtimit të ushqimeve. Duke qenë se Elbasani është një destinacion i turizmit kulturor dhe pse jo dhe kulinar është kërkuar kontrolli i imtësishëm i restoranteve për higjienën që ato ofrojnë. Po kështu kjo drejtori ka tashmë detyrën të kontrollojë edhe certifikimin e mishit si dhe dokumentacionin që ndjek gjurmueshmërinë e zinxhirit ushqimor nga ferma në tavolinë. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›