E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heidi Klum, mamaja moderne, me një mision

Heidi Klum është një nga supermodelet më të bukura në botë, por bukuroshja me origjinë gjermane mund të konsiderohet edhe si një “supernënë”. Si mamaja e katër fëmijëve, Klum dëshiron t’u mësojë të vegjëlve të saj rëndësinë e të jetuarit një jetë të shëndetshme. Ajo së fundmi u bashkua me “Diet Coke” (Kola dietike), në mënyrë që të sensibilizojë femrat, kryesisht nënat, në lidhje me edukimin e përshtatshëm. Për këtë qëllim është ngritur edhe një fondacion që do të kryejë kërkime të thelluara. Për katër vitet e ardhshme, “Diet Coke” është në partneritet me “National Heart” dhe Institutin e Gjakut për të mbështetur fushatën e quajtur “Zemra e vërtetë”. Heidi flet më poshtë pikërisht në lidhje me këtë angazhim të saj.

Përpjekjet në punë, projektet e bamirësisë dhe mëmësia

“Për gjërat e rëndësishme, thjesht duhet të planifikoni sa më shumë kohë. Mendoj se projekti “Diet Coke” dhe “Heart Truth” janë shumë të rëndësishëm, sepse i dedikohen femrave dhe kur ne shohim se sa shumë femra dhe meshkuj vdesin për shkak të sëmundjeve të zemrës në Amerikë, kjo gjë është alarmante, krahasuar edhe me numrin e vdekjeve për shkak të kancerit. Në këtë drejtim, unë dua të ndihmoj që të sensibilizoj publikun. Imagjinoni, 1 në 4 femra vuajnë nga zemra në një pikë të jetës suaj. Unë vetë jam femër, kam një nënë, kam dy vajza. Mendoj se kur ke akses në shtyp dhe rrjedhimisht edhe në publik, është mirë që t’i thuash me zë të lartë këto shifra, duke u mësuar njerëzve se çfarë duhet të bëjnë për të jetuar një jetë më të shëndetshme dhe të gjatë. Nuk më merr shumë kohë nga jeta ime që t’u tregoj njerëzve këtë kauzë dhe të ngre në fondacion për mbledhjen e parave, për këtë qëllim.

Zemra e fortë, falë dietës së shëndetshme dhe regjimit fizik

Duhet të theksoj që fakti që kam qenë një modele, ka qenë një fat i madh për mua, për shkak se më ka “detyruar” që të bëj një stil jetese të shëndetshme, pasi duhet të isha super në formë për punën time. Si rezultat, që kur erdha në Amerikë, unë ndryshova zakonet e mira të të ngrënit. Në vend që të haja sipas mënyrës që ushqehet një gjerman- mish me yndyrë, patate, makarona të gatuara me gjalpë etj., unë u bëra një person që hante shumë më tepër mish pule, perime dhe sallata të freskëta. Të kuptohemi, unë ende ha biftekë apo ushqime të tjera të shumëllojshme, por jo aq shumë dhe shpesh sa më parë. Kur njerëzit ju thonë atë shprehjen e famshme “Ju jeni ajo që hani”, unë mendoj se kjo është krejtësisht e vërtetë. Kur njerëzit pyesin se si unë mund të kërcej me aq lehtësi, në momentin që kam bërë 4 fëmijë, unë u them se për mua kjo nuk është aspak diçka e vështirë, pasi gjithmonë kam qenë një person tejet aktiv. Më mirë do doja të haja perime, sesa të ulesha në divan duke para televizor, me një dorë në një qese të madhe patatinash.

A ua mëson zakonet e shëndetshme edhe fëmijëve?

Unë filloj t’u mësoj atyre që në moshë fare të vogël se çfarë është e shëndetshme të hanë dhe çfarë jo. Nuk mendoj se është mirë të përziesh në shtrydhëse perime të ndryshme dhe pastaj t’ia japësh ta hajë një fëmije që nuk e di se çfarë ka në pjatën e tij. Pra, edukimi është thelbësor në këtë rast. OK, është mirë që ata ta hanë atë që nëna ka përgatitur për ta, por është akoma më mirë nëse ju i shpjegoni rëndësinë që perimet, frutat etj., kanë në trupin e tyre. Ata do ta kuptojnë, me siguri. Pikërisht sepse ne të rriturit e kuptojmë këtë, gatuajmë për familjet tona perime, ushqime proteinike dhe një gamë të gjerë ushqimesh të shëndetshme, apo jo?! Në familjen tonë, ne përpiqemi ta shndërrojnë në një lojë zbavitëse çështjen e ushqimit, duke u shtruar fëmijëve pyetje si: “Është e mirë kjo për ta ngrënë, apo jo?” Fëmijët përgjigjen me radhë. Gjithsesi, për të mos e ekzagjeruar, unë nuk jam një person që nuk i lë fëmijët të hanë akullore apo lëpirëse, por pavarësisht kësaj, vaktet e tyre duhet të jenë sa më të shëndetshme për organizmin e tyre që rritet. Për të konkluduar, mendoj se është shumë e rëndësishme që të edukohet gjeneratat e ardhshme mbi mënyrën sesi duhet ngrënë shëndetshëm.

Mamaja hollivudiane që punon non-stop

A keni ndonjë ushtrim të preferuar fizik, për të ruajtur formën trupore?

S’mund të them nëse kam ndonjë ushtrim të veçantë që e pëlqej në veçanti. Nuk është se lulëzoj në këtë pikë, do të doja të ishte kështu. Nuk jam një nga ata persona që pasi ushtrohen, thonë: Koka ime është shumë më e lehtë tani, ndaj e dashuroj këtë ndjesi. Unë thjesht dashuroj rezultatin. Veçanërisht për faktin që pas pak muajsh do të mbush 38 vjeçe. Trupi ndryshon vazhdimisht. P.sh., më parë unë mund të haja më shumë sasi nga gjërat që preferoj. Tani duhet të lëviz më shumë se më parë ama. Po përmend këtu që verën e kaluar unë vrapova për 120 milje në Nju Jork, ndërkohë që regjistronim për programin “Project Runway”. Përmbusha qëllimin e të vrapuarit çdo ditë, për shtatë ditë me radhë. Është diçka e vështirë dhe që të mundon, por edhe njerëzit që kam përreth më ndihmojnë më atë që dua të përmbush. Pashë shumë femra të tjera që vraponin. Mendoj se ta kesh këtë gjë në stilin e jetesës, është diçka e vështirë, pa dyshim, por kur je e frymëzuar për ta bërë, kjo shndërrohet në diçka shumë të lehtë për t’u arritur. Unë personalisht fitoj më shumë energji kur vesh xhinset e mia çdo mëngjes, pa m’u dashur të shtrëngoj barkun, në mënyrë që të mbyll butonin. Për këtë, jam e lumtur! Nuk jam një femër e fiksuar që përpiqet të shohë përmbajtjen e çdo ambalazhi, në mënyrë që të llogarisë kaloritë. Indikatori im janë rrobat që vesh, pasi unë e njoh shumë mirë trupin tim. Nëse xhinset më rrinë fiks, pa u dashur të shtrëngohem shumë, do të thotë që është OK.

Keni pasur ndonjë moment të sikletshëm në “Tapetin e kuq”?

Kur vjen puna te rrobat, unë jam një person shumë aventurier. Më pëlqen shumë moda dhe rrezikoj me sigurinë, duke eksperimentuar. Kështu reflektohet personaliteti im. Nuk jam shumë tip i qetë dhe kjo duket edhe te rrobat e mia. Kur mediat shkruajnë për ndonjë veshje timen, duke më kritikuar, kjo gjë nuk më ndalon mua që herën tjetër të mos bëj sërish diçka ekstravagante. Për mua, do të ishte shumë e mërzitshme nëse do të dukesha përherë njëlloj. Ne njerëzit, të gjithë kemi forma dhe pasa të ndryshme trupore, por gjithashtu ndryshojnë edhe shijet tona. Çdo person është individual.

E diela tipike me familjen

Zakonisht, për fundjavat përpiqemi të mos bëjmë plane. Thjesht ngrihemi në mëngjes dhe pyesim secilin nga fëmijët se çfarë duan të bëjnë. Në shumicën e herëve, udhëtojmë në drejtim të ndonjë parku ose qëndrojmë në kopshtin e shtëpisë duke luajtur. Tre nga fëmijët që shkojnë në shkollë çdo ditë, kanë dëshirë të qëndrojnë në dhomat e tyre dhe të luajnë pafund. Shkolla mbaron kaq vonë dhe në momentin që ata kthehen në shtëpi, dita thuajse ka përfunduar. Ja pse shpesh kënaqemi edhe duke ndenjur në shtëpi.

Pse Heidi hoqi dorë nga “Victoria’s Secret”

Ajo është modele e njohur, femër e suksesshme në biznes dhe nënë e katër fëmijëve. Trupi i saj është sinonim i përsosmërisë, ndërsa martesa e lumtur dhe balancimi ndërmjet obligimeve dhe familjes janë ato me të cilat ajo krenohet. Pas suksesit të show-t “Project Runway” ajo vazhdon me sukseset televizive. “Seriously Funny Kids” është titulli i emisionit që po shfaqet në një TV amerikan që nga fillimi i janarit, ndërsa Heidi në këtë emision ka si bashkëbisedues fëmijët, ndërsa idenë për këtë projekt ia kanë dhënë fëmijët e saj. “Kam katër fëmijë dhe më besoni, kënaqem në shoqërinë e tyre, pasi janë të paparashikueshëm, spontanë dhe jashtëzakonisht argëtues”, - tha Heidi Klum. Me disa linja mode, të cilat i ka dizajnuar vetë, në bashkëpunimin me shtëpinë e veshjeve “New Balance” dhe me emisionin televiziv, shtoji kësaj faktin që Heidi së pari është një nënë e përkushtuar, atëherë e kemi qartë se pse vendosi të largohet nga “Victoria’s Secret” dhe se pistën ua lëshoi kolegeve më të reja.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›