Të gjithë janë të çmendur pas Burlesque!

Nga Amerika në Evropë arti i burlesque-s është rikthyer në suksesin e viteve të tij më të mira. Lindur shumë shekuj më parë si një gjini letrare, importuar më pas në formën e një shfaqjeje teatrale, sot është rizbuluar si një tipologji artistike më vete, duke pushtuar botën. Të gjithë janë të çmendur pas Burlesque-s e mos guxoni ta quani striptizëm.
Kostume ekstravagante e pupla shumëngjyrëshe, taka të larta e pin up, e mbi gjithçka aftësia e një performance ironike e shumë sensuale është moda e fundit e spektakleve teatrale, televizive e kinematografike, të zbarkuara nga Amerika në Evropë dhe të kthyera në një mani të vërtetë artistike.
Skenat më me emër të teatrove evropiane kanë të afishuar në programin e tyre spektaklin “Burlesque”, sallat kinematografike anekënd botës sapo kanë hedhur në qarkullim filmin “Burlesque” (në role kryesore këngëtaret Cher e Cristina Aguilera), radio, televizioni, media në përgjithësi komentojnë vazhdimisht show e performancat teatrale të aktoreve të njohura në rolin e një balerine të burlesque, gra normale janë frekuentuese të kurseve e leksioneve private për të mësuar sekretet e këtij kërcimi, e mbi të gjitha spektatorë të pafund që në mbarim të çdo shfaqjeje duartrokasin e thërrasin “Bis-Bis”. Të gjithë janë të çmendur pas burlesque!
Për frekuentuesit e tij nuk është striptizëm, por veç art, një stil jete që me anë të joshjes e ironisë i ka rikthyer gruas moderne sjelljen femërore. Provokuese, joshëse, seksi, por dhe ironike, kurajoze, karizmatike, unike në format e saj pa një standard trupor të imituar. Të gjitha gratë mund të identifikohen në një balerinë burlesque, pasi joshja femërore ofrohet me ironi, lojë, mister, karakteristikë që çdo grua i zotëron. Striptizmi ofron nudo e agresivitet, ndërsa burlesque është një rrugë e mesme, që dhuron gëzimin e të qenit femër. Është një botë artistike e mbizotëruar nga gratë që argëtohen me trupin e tyre e me look-un e së shkuarës, me një fantazi të lirë që shfaq karakter e prodhon spektakël.
Historia e Burlesque show
Etimologjia franceze burlesque rrjedh nga fjala burla, që italisht do të thotë shaka -lojë. Burlesque është një spektakël-parodi e lindi si i tillë në mes të ‘800-s në Anglinë viktoriane. U importua më pas me shumë sukses në SHBA, kryesisht si argëtim për shtresat e mesme e të ulëta të shoqërisë. Burlesque e quanin “çmenduria” e të varfërve, e ishte një skenar komik frymëzuar nga një tekst dramatik e i interpretuar me dritëhije satirike e parodike. Fillimisht Burlesque pati formën e tij letrare në vargje e prozë të shfaqur rreth shekullit XIV falë veprës satirike “Tregimet e Kanterbërit” (The Cantebury Tales) të shkrimtarit Geoffrey Chaucer. Por prezantimi i parë historik i një vepre të tillë të mirëfilltë i përket vitit 1671 me “The Rehearsal” (Prova) shkruar nga Duka i Bakingamit e që satirizonte tragjeditë e dramaturgut John Dryden (1631-1700). Më pas shfaqen kryevepra të njohura si “The Critic” (Kritiku) i 1779 e irlandezit Richard Sheridan apo melodrama “The Beggar's Opera” (1728) e John Gray. Burlesque si një gjini letrare i bashkëngjitet tematikës social-politike të kohës e frymëzon tekstet e mjaft autorëve teatralë si William Makepeace Thackeray e Henry Fielding.
Gjatë fillimit të ‘800 burlesque i largohet karakterit të tij kritik letrar e merr formën e një spektakli argëtues mes këngës e kërcimit, ekstravagantes e komikes. Qe një shfaqje që satirizonte botën, zakonet, veset e aristokracisë, botën industriale që po lindte duke argëtuar shtresën e mesme e të ulët të shoqërisë. Ekzistonte një skenar teatral plot me këngë e parodi, kërcime e shumë humor e që për të mbushur sallën e garantuar suksesin fusnin në skenë balerina joshëse të veshura seksi. Në gjysmën e dytë të ‘800-s kemi një transformim total të stilit të burlesque, që kthehet në një spektakël vetëm për të rriturit me skena komike e sfond erotik. Spektaklet burleske amerikane të Broadway shndërrohen në një fenomen masiv me një numër të pafund shfaqjesh e një publik të çmendur pas tyre. Burlesk show më të famshme historikisht të atyre viteve qene “Balck Crok” e “Ixion”, si spektaklet më të shikuara e më të përfolura të kohës. Pas suksesit në Nju Jork, kjo shfaqje pushton çdo qytet tjetër amerikan. Është momenti i artë për të që nisi nga gjysma e dytë e ‘800-s e vazhdon deri në Luftën I Botërore. Producentët kishin gjetur recetën e suksesit e vetmja gjë që u duhej ishte rritja e elementëve përbërës të saj. Shtohet numri i balerinave joshëse të veshura gjithnjë e më pak e që argëtohen gëzueshëm në skenë me format e tyre. Elementi i satirës humbet pak e nga pak, duke u zëvendësuar me një varietet ironik e kurioz, jo vetëm gra të zhveshura, por edhe mendimtare inteligjente. E shfaq këtë gjë shkrimtarja Mae West, aktore, producente, skenografe, autore tekstesh e këngësh me batutat e saj dopiosenso e me një spektakël absolutisht provokues të titulluar “Seks”, që e çon të kalojë disa ditë dhe në burg. Shtypi amerikan i drejtuar nga të fuqishmit e shoqërisë hakmerret dhunësisht ndaj suksesit të burleskut, gjë që i rrit popullaritetin e numrin e biletave të shitura.
Për shkak të degjenerimit që ky spektakël mori nga disa shoqëri teatrale, në fillim të viteve ‘20 të ‘900 e për një dekadë të tërë u mbyllën praktikisht të gjitha teatrot burlesk të Nju Jorkut. Fjala burlesk doli jashtë ligjit e teatrot e tyre u shndërruan në salla kinemash. Burlesku i përkiste tashmë nostalgjisë së të shkuarës.
New Burlesque
Vitet ‘90 të ‘900-s me rikthimin e modës së kulturës vintage sjellin dhe rilindjen e new burlesque. Shumë mendojnë se nuk qe veç moda, por mbi të gjitha dëshira e njerëzve për ta risjellë atë në skenë. New burlesque është i lidhur veçanërisht me një emër, Jennie Lee, artiste e “Bazoom girl” në kohërat e arta të burleskut. Gjatë viteve ajo kishte mbledhur një material të shumtë të këtij spektakli nën formën e një koleksioni unik e interesant dhe që e ruante me shumë fanatizëm. Pas vdekjes së Jennie Lee, mikja e saj Dixie Evans e transformoi në një muze të vërtetë të burleskut “Exotic World Home of the Movers & Shakers’ Burlesque Museum and Striptease Hall of Fame”. Më vitin 1992 lind Miss Exotic World e nga ky moment nis me të vërtetë rilindja e burlesque. Brezi i viteve ‘90 dashurohet me të e rizbulon në stil, veshje, truk, në spektakël, art, fotografi, diskoteka e klube kulturore.
Fillimi i këtij shekulli gjen tek burlesque show argëtimin, ironinë, kuriozitetin e joshjen femërore larg lodhjes sociale të realitetit të përditshëm. Femra është protagoniste absolute e këtij spektakli, e cila me veshjen e gjestet e saj provokon, josh, por dhe satirizon veset e një shoqërie të mbingarkuar nga snobizmi.
Dita von Teese, Mbretëresha e burlesque
“Është një liri e vërtetë të fitosh 20 mijë dollarë për 10 minuta punë”
Gjithkush e kujton për performancën e saj mbi një gotë shampanje gjigande “Martini”. Me një lëkurë të fildishtë, make up e stil të viteve ‘40, 38-vjeçarja Dita von Teese është mbretëresha absolute e burlesque. Modelja amerikane Heather Renée Swee, me pseudonimin Dita, referuar aktores gjermane Dita Parlo, është ikona e këtij arti e muza frymëzuese për shumë fotografë e stilistë. “Sitli nuk ka të bëjë aspak me modën, nuk është e domosdoshme të ndjekësh modën e fundit, e shpesh njerëzit mendojnë se aspekti natyral është më i miri, por nuk është kështu”, - shprehet ajo pas çdo pyetjeje intervistuese mbi atë çka look-u i saj përcjell. Sinonimi i vintage, Dita von Teese, me lëkurën delikate e buzë të kuqe flakë, flokë të krehura “model ‘40”, doreza deri mbi bërryla, ngjan me një kukull porcelani në përmasa humane. Fëmijërinë e saj ajo e kujton me pasionin për veshjet intime, duke u kuriozuar në sirtarët e së ëmës e në prova pa fund para pasqyrës. Adhuron filmat e vjetër me artistë si Rita Hayworth, Marlene Dietrich e Clark Gable, lexon biografi të showgirl të viteve gjatë luftës e është e apasionuar pas Old Hollywood. Nis karrierën artistike në moshën 19-vjeçare në një lokal striptizmi e ku shpejt bie në sy për klas, elegancë e origjinalitet. Shndërrohet në një modele super të kërkuar për revista me gjithë lartësinë e saj 1.60 cm. Në vitin 2002 pozon për kopertinën e të famshmes “Playboy”, gjë që i dhuron një popullaritet botëror, ndikuar dhe nga marrëdhënia e martesa e saj me këngëtarin Marilyn Manson. Në vitin 2007, në Festivalin e Kanës, gjatë mbrëmjes kundër AIDS, realizon Lipteese, performancën e saj mbi një buzëkuq gjigand, ndërsa më 2010, e ftuar në Festivalin e Sanremos, ngjitet mbi skenë e veshur me diamante me një vlerë prej 2.5 milionë dollarësh.
Dita von Teese frymëzohet nga filozofia erotike (fetish) siç shprehet ajo në librin e saj të publikuar më vitin 2006, “Burlesque and the Art of the Teese”: “Dua të demonstroj se striptizmi nuk është diçka e pisët. Disa persona thonë se ajo që bëj, nuk është sinonim i lirisë seksuale, kurse unë them se është vërtet liri të fitosh 20 mijë dollarë për 10 minuta punë”.