E Shtunë, 31 Tetor 2026

Është koha për... “Burlesque”

Dy yjet e muzikës botërore, Cher dhe Christina Aguilera, vijnë bashkë nëpërmjet ekranit të madh, tani edhe në kinema “Millennium”, ku prej datës 5 mars fillojnë projeksionet e filmit “Burlesque” që deri tani, përveç arkëtimeve të mëdha, shënon në skedën e tij katër nominime dhe çmimin “Golden Globe” për këngën më të mirë origjinale (“You Haven’t Seen the Last of Me”).

Muzikali me nota dramatike, i vendosur në qytetin e engjëjve, nën hijen e kodrave hollivudiane, rrëfen një histori të bukur që udhëton në pistën e batutave më të mira të këtij zhanri. Në këtë film triumfojnë ndjenjat e mira, ndërsa gërshetimi i elegancës së Cher me buzëqeshjen e çiltër dhe personalitetin e hapur të Aguilera-s, krijojnë një çift harmonik në ekran.

Një përrallë brilante për ndjenjat e mira

Teksa performonte “Lady Marmalade” në prapaskenën e “Moulin Rouge”, kantautorja amerikane Christina Aguilera jo vetëm që i afrohej një hap kinemasë, por edhe frymëzonte regjisorin Steve Antin për të bërë një film në të cilin ajo vetë do të ishte protagoniste. Kështu do të lindte “Burlesque”, romanca muzikal që sjell në krah të Aguilera-s edhe këngëtaren Cher.

Ali Rose ka shumë pak para, por një ambicie të madhe: të lërë provincën amerikane për të jetuar ëndrrën amerikane. Zbarkon në Los Angeles dhe gjen pune në një teatër – club varietesh, të drejtuar nga Tess, një grua e rreptë, por bujare. Ajo është gjithashtu krijuese e numrave të kërcimit që çdo natë ndezin skenën e “Burlesque Lounge”. Ndonëse është e punësuar si kameriere, Ali ëndërron të ngjitet në skenë, të vishet me pupla e pse jo, të fitojë dashurinë e Jack, baristit me zemër të artë që shkruan këngë. Pushimi nga puna i Nikit, balerinës së parë që gjithnjë ishte në gjendje të dehur, si dhe shtatzënia e papritur e njërës prej kërcimtareve, le skenën e Burlesque bosh. Nga ana tjetër, i jep mundësinë protagonistes që të zbulojë zërin e saj të jashtëzakonshëm. Suksesi vjen menjëherë.

E bukur, bionde dhe plotësisht në formë që nga plani i parë i filmit. Personazhi i interpretuar nga Christina Aguilera arrin menjëherë tek ëndrra e saj, duke u shndërruar nga një vajzë e re që pastron tavolinat, tek një artiste që shpërthen në skenë. Christina Aguilera këndon dhe kërcen me të vërtetë, pa kursyer zërin dhe lëvizjet e sakta. Por sigurisht që kaq nuk mjafton për të qenë aktore në film. Nga ana e saj, popstari ka pranuar faktin se ka marrë pjesë në film sidomos për të interpretuar në krah të Cher, e cila me sa duket, është shndërruar në një profesoreshë aktrimi gjatë xhirimeve: “Natyrisht që nuk mund të mos i jepja ndonjë këshillë, - ka deklaruar Cher. - Kur ishim duke xhiruar skenën në të cilën Tess thotë: “Ok, do të ndërtoj një spektakël për ty”, e dija që ajo mund të jepte shumë më tepër, ndaj u afrova dhe i thashë: “Christina, ky është momenti që ke pritur gjithë jetën e nuk po flas për personazhin tënd, por për ty! Ose tani, ose kurrë më! Pas kësaj, u përsërit skena dhe kur ajo filloi të interpretonte, hyri aq shumë në rol, saqë filloi të qante kur po thoshte batutën. E dija që do t’ia dilte dhe jam shumë krenare për të”, - përfundon Cher.

Disa kureshti për filmin

Jessica Biel dhe Lindsay Lohan ishin menduar fillimisht për rolin e Nikit.

Robert Pattinson, Kellan Lutz, Taylor Lautner ishin aktorët e parë që u menduan për rolin e Xhekut, ndonëse në kast u pranua më pas Cam Gigandet. Të tjerë aktorë, si Patrick Dempsey, Sam Worthington, Casey Affleck dhe Jamie Foxx ishin menduan për të luajtur Marcus.

Fotografia e Alit, 7-vjeçare me të ëmën, është fotografi e Christina Aguilera-s me nënën e saj, Shelly Kearns.

Cher performoi "You Haven't Seen the Last of Me" plotësisht live.

Pjesa më e madhe e kostumeve alla flamboyant që Cher ka veshur në këtë film, janë personale të këngëtares, të dizenjuara nga miku i saj, Bob Mackie.

Skeda e filmit

Titulli: Burlesque

Regjia: Steve Antin

Skenari: Steve Antin

Aktore: Cher, Christina Aguilera, Eric Dane, Cam Gigandet, Julianne Hough, Kristen Bell

Gjinia: Dramë e muzikal

Kohëzgjatja: 1 orë e 40 min.

Sinopsi: Ali Rose është një vajzë province, e cila për të realizuar ëndrrën e saj largohet nga qyteza e saj e lindjes drejt Los Angelesit. Ajo punësohet si kameriere në kabarenë “Burlesque Lounge”, por vetëm pas shumë peripecish arrin të pranohet si këngëtare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›