VIP World
Martohen Johnny Depp dhe Vanessa Paradis
Duket se zemërthyesi hollivudian Johnny Depp më në fund do të martohet me partneren e tij, me të cilën është i lidhur prej shumë vitesh, Vanessa Paradis. Bazuar në raportin e revistës britanike “More”, aktori Depp dhe e dashura e tij Paradis, me të cilën ka dy fëmijë, janë duke planifikuar të dalin para altarit muajin e ardhshëm. “Fëmijët e tyre vazhdimisht pyesnin njëri-tjetrin se kur do të martohen prindërit e tyre. Ata dëshirojnë që edhe prindërit e tyre të martohen sikurse prindërit e shokëve të tyre. Por, Vanessa ishte ajo e cila deri më sot ka refuzuar të ndërrojë unazat. Fatmirësisht, fëmijët kanë arritur t’ia ndërrojnë mendjen dhe ata po bëhen gati që muajin e ardhshëm të ndërrojnë unazat në një ceremoni të posaçme martesore”, - tha një burim.
Edhe Cameron Diaz në prag martese
Lajmi për martesën e mundshme të Cameron Diaz dhe Alex Rodriguez, është bërë i ditur pasi një burim anonim, i afërt me aktoren, ka zbuluar për mediat se “avokatët e saj janë duke punuar për një kontratë paramartesore”. “Para disa ditësh, Cameron dhe Alex janë takuar me avokatët e tyre, për të biseduar mbi hollësitë e kontratës paramartesore”, - ka thënë burimi anonim për revistën amerikane “Star”. Siç e dimë, Cameron Diaz ka qenë e përfshirë në lidhje të gjata me aktorin dhe këngëtarin Gerard Liton, si dhe me Justin Timberlake, ndërsa Alex Rodriguez është ndarë para dy vitesh nga aktorja Kate Hudson, për shkak të aferës me mbretëreshën e muzikës pop, Madonna.
Britney Spears: Le të thonë ç’të duan...
Ylli i famshëm amerikan, Britney Spears, e cila kaloi një kohë të gjatë duke luftuar me drogën dhe alkoolin, thotë se tashmë nuk u kushton shumë vëmendje artikujve që shkruajnë mediat për të. “E kam kaluar gjithë atë histori dhe tani nuk ua vë veshin mediave për çfarë shkruajnë apo flasin për mua. Kam mësuar shumë nga gjithë kjo. Unë mundohem të jem vetvetja dhe ata kurrë nuk do të mund të më ndryshojnë mua”, - ka thënë Spears. Sipas saj, është shumë e lehtë të ballafaqohesh me mediat kur je në moshë të re, por nuk ndodh e njëjta gjë më vonë. “Qëkur jam bërë nënë, kam dashur më shumë privatësi për mua dhe fëmijët e mi”, - ka shtuar ajo. E pyetur nëse është e lindur për të qenë një yll, Spears ka thënë se asnjëherë nuk e kishte menduar se do të të ishte e famshme. “E dija se do të merresha me muzikë dhe se do të performoja në skenë, por jo, për famën e vërtetë nuk kam menduar, sigurisht as për barrën që sjell me vete fama”, - ka deklaruar biondina problematike.
Eva Longoria nuk heq dorë, libër për gatimin
Ndonëse ka pësuar falimentim me restorantin e saj “Beso”, Eva Longoria do të vijojë të synojë fushën e gastronomisë, pasi së shpejti nëpër librari do të gjendet libri i saj i parë për gatimin. Eva shpesh ka deklaruar se i pëlqen të gatuajë për familjen e saj dhe miqtë që i vijnë në shtëpi, ndaj libri i saj i parë për gatimin do të quhet “Eva’s Kitchen: Cooking for Family and Friends With Love”. Libri pritet të dalë në shitje muajin prill. Aktorja ka shpjeguar se dashurinë për gatimin e ka trashëguar nga nëna dhe tezet e saj, me të cilat ka përgatitur receta të ndryshme që kur ishte fëmijë. “Vij nga një familje në të cilën gatuhet shumë, por nuk i kam ndjekur recetat e nënës, kështu që e kam pasur të vështirë të zgjedh ato që do të jenë pjesë e librit të gatimit”, - ka thënë bukuroshja e popullarizuar.
Angelina Jolie: Do të bëj operacione plastike
Aktorja Angelina Jolie ka pohuar para mediave se planifikon t’i nënshtrohet kirurgjisë plastike në një të ardhme të afërt, me qëllim që të përmirësojë pamjen e saj. Burime të revistës “National Enqirer” bëjnë të ditur se Jolie, e cila është duke rritur gjashtë fëmijë me të dashurin e saj Brad Pitt, preferon të duket gjithmonë bukur edhe në vitet e ardhshme dhe se për një gjë të tillë do t’i duhet t’i vizitojë kirurgët, edhe pse këtë gjë spekulohet se e ka bërë më parë për hundën dhe mjekrën. “Po, unë do ta bëj këtë dhe nuk kam frikë që të hyj nën briskun e kirurgut. Tashmë vitet po kalojnë dhe ne po humbasim shkëlqimin që kishim, por nuk dua ta teproj me këtë”, - ka thënë Jolie, e cila duket se ka vendosur si prioritet kryesor pamjen e saj të bukur.