Hej: Do t’i mposht vëllezërit Klitçko
Kampioni i botës në peshën e rëndë në boks në versionin WBA, David Hej, ka treguar mënyrën se si do të përgatitet për luftën e tij të shumëpritur me ukrainasin Vladimir Klitçko. Britaniku Hej, 30-vjeçar, do të përballet më 2 korrik me Vladimir Klitçkon (35), në luftën që do të jetë e vlefshme për unifikimin e titujve IBF, WBO, WBA dhe IBO. Vladimir Klitschko është zotërues i titujve IBF, WBO dhe IBO. "Unë do të vendos një poster të madh të Vladimirit në palestrën ku stërvitem dhe sa herë që do godas thesin apo bëjë sparing, do të kem atë në kokë dhe do të mendoj si ta dëmtoj", ka thënë Hej, shkruan gazeta angleze "The Sun" të enjten. "Unë para çdo meçi të madh vendos poster gjigant të kundërshtarëve të mi në palestër për t'u motivuar. Kjo më ndihmon shumë. Klitçko do të ëndërrojë se po fle në një akullnajë, pasi ta hedh nokaut". Përballja e Hejt dhe Klitçkos është dueli i shumëpritur në peshën e rëndë në boksin profesionist. Hej, vazhdimisht në vitet e fundit, ka sulmuar vëllezërit Klitçko që po dominojnë kategorinë e rëndë të boksit. Vitali Klitçko është kampion i versionit ËBC. "Është kënaqësi që më në fund ky duel po zhvillohet. Unë në asnjë çast nuk e kam marrë me nervozizëm vendin se ku do të zhvillohet ndeshja. Edhe po të zhvillohet lufta në oborrin e tij, do të ketë vetëm një përfundim - unë do ta hedh nokaut atë. Të gjithë e dinë se unë dua të boksoj deri në ditëlindjen time të 31-të, që do të jetë në tetor. Por, unë po shpresoj se pasi të mposht Vladimirin, vëllai i tij i madh Vitali, do të mundohet të marrë hak, që ia kam rrahur vëllanë e vogël. Por, edhe Vitali do të pësojë në të njëjtën mënyrë si Vladimiri", ka thënë Hej.