E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo: Interi duhet të rindërtohet

SHKRUAN: Jeton Selimi 23-04-2011 10:39

Trajneri i Real Madridit, Zhoze Murinjo, ka porositur ish-ekipin e tij, Interin, të mos dorëzohet pas një sezoni pothuajse të përkryer. Interi fitoi tre tituj sezonin e kaluar me Murinjon, por u eliminua nga Liga e Kampionëve nga Shalke dhe ka ngecur në garën për titullin e Serie A ndaj rivalit lokal, Milanit. “I them Interit se ky sezon nuk është tmerr, nëse ata nuk fitojnë trofe. Ata duhet të rindërtohen për sezonin e ardhshëm dhe të rikthehen në rrugën e fitores, pasi ai mbetet Interi im. Presidenti Masimo Morati dhe bashkëpunëtorët e tij janë shumë të mençur dhe Leonardo është një trajner i cili mund të shkojë larg. Ajo që llogaritet tani është sigurimi i vendit të dytë në Serie A dhe triumfi në Kupën e Italisë”, ka thënë portugezi.

Sezoni i dështuar me eliminimin nga Liga e Kampioneve dhe me pak shpresa për të fituar titullin kampion në Itali, ka detyruar Interin të mendojë që tani për merkaton. Klubi zikaltër është shumë pranë goditjes së parë me emrin Karlos Tevez. Sipas mediave italiane, Inter ka arritur marrëveshjen me futbollistin të gatshëm për t’u transferuar në Seria A, ndërsa pengesa e vetme është akordi me Mançester Sitin, që është në pronësi të kartonit të lojtarit të kombëtares argjentinase. Tevez ka pranuar kushtet e kontratës së ofruar nga klubi italian, nga e cila do të përfitojë 7 milionë euro në sezon për pesë vjet. Sulmuesi shihet si përforcimi i parë për sezonin e ardhshëm, pas një kampionati me të vërtetë për t’u harruar nga ana e zikaltërve të drejtuar nga Leonardo. Gjithsesi, për të parë Karlos Tevez në Seria A, duhet pritur zyrtarizimin që do të vijë pas akordit mes dy klubeve. Mançester Siti e vlerëson 30 milionë euro sulmuesin e kombëtares së Argjentinës, shumë kjo e pranueshme për Interin, i cili pretendon të përfitojë nga shitja e disa lojtarëve në merkaton e verës. Një nga ata është Diego Milito, destinacioni i ardhshëm i të cilit është kampionati anglez.

E ardhmja e Leos është me Interin

Drejtori ekzekutiv i Interit, Ernesto Paolilo, ka theksuar se trajneri Leonardo nuk ka arsye të brengoset për detyrën e tij, pasi klubi nuk planifikon të largojë strategun brazilian. Gjiganti italian brenda dy javëve të fundit është eliminuar nga Liga e Kampionëve dhe ka vështirësuar dukshëm gjasat për të mbrojtur titullin në Serie A, por Paolilo ka theksuar se Leonardo do të mbetet në pankinë sezonin e ardhshëm. “E ardhmja e Leonardos është me Interin. Ai është trajner i mirë dhe është duke punuar shumë mirë, jemi vërtetë të kënaqur. Vetëm për shkak se kemi humbur dy ndeshje, kemi filluar të lexojmë shumëçka në gazeta, por ato vijnë nga jashtë dhe jo nga klubi. Ne nuk kemi asnjë problem dhe jemi të bindur se është duke punuar shumë mirë”, tha Paolilo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›