Masa: Tri javë pushim për t’u përmirësuar
Felipe Masa e përfundoi garën për Çmimin e Madh të Kinës në vendin e gjashtë fundjavën që shkoi. Piloti brazilian ndihet i kënaqur me atë që shfaqi në Shangai, por thotë se mund ta përfundonte më mirë garën. “Kam bërë një garë të mirë, të karakterizuar me një kalim të mirë dhe me shumë duele. Rezultati final do të duhej të ishte më i mirë sesa vendi i gjashtë, por jam i kënaqur me mënyrën se si shkuan gjërat dhe shpresoj që të vazhdoj të luftoj në një nivel edhe më të lartë në farat e ardhshme”, theksoi piloti i Ferrarit. Ai thotë se pushimi i Formula 1 prej tri javësh do t’i bëjë mirë, pasi do ta shfrytëzojë këtë periudhë për të ushtruar dhe për t’u përmirësuar për garat e radhës. “Tani janë tri javë pushim, të gjithë te Ferrari duhet ta japim maksimumin për t’u përgatitur sa më mirë për garën e ardhshme ose për kualifikimet e ardhshme. Sigurisht, duhet të mundohemi të jemi më të shpejtë në kualifikime, për t’u nisur më përpara në garë. Edhe pse pole-position nuk është më shumë vendimtar, të ndihmon gjithmonë që të jesh në krye. Pushimi do na ndihmojë që të ushtrojmë dhe t’i shmangim gabimet”, vazhdoi ai. Masa insiston se do të mbetet i përqëndruar për garën e radhës në Stamboll, e cila mbahet pas tri javësh.