“Hekurishtja” merr dy çmime në “Festivalin e kombeve”
Filmi “Hekurishtja” i regjisorit kosovar Burim Haliti është shpërblyer me dy çmime në festivalin ndërkombëtar të filmit të shkurtër, “Festivali i kombeve”, i cili u përmbyll të shtunën mbrëma në qytetin Ebensee të Austrisë. “Ariu i artë” dhe çmimi “Unica” për filmin më të mirë, janë çmimet që juria e festivalit “rezervoi” për filmin që flet për mbijetesën, duke bërë një gërshetim mes dramës dhe situatave komike. Në adresë të edicionit të 38-të të “Festivalit të kombeve” kanë konkurruar rreth një mijë filma të shkurtër nga regjisorë të vendeve të ndryshme të botës, përderisa 150 prej tyre janë futur në konkurrencë ndërkombëtare. Regjisori Burim Haliti është shprehur i kënaqur që “Hekurishtja” është kurorëzuar me dy çmime të rëndësishme. Megjithëse ka çmuar rëndësinë e të dy çmimeve, Halili ka dalluar çmimin “Unica”, i cili ndahet nga Unioni i Kinemave të Evropës. “Më vjen mirë sidomos për çmimin ‘Unica’, i cili sipas organizatorit u ndahet vetëm filmave më të mirë që shfaqen në kuadër të festivalit dhe jepet mjaft rrallë, e jo në çdo edicion”, ka thënë Halili. “Kam qenë i vetmi regjisor shqiptar që kam hyrë në konkurrencë dhe jam shpërblyer. Kjo është diçka shumë e rëndësishme për mua”, ka thënë Halili. Filmi “Hekurishtja” është realizuar në vitin 2007 në kuadër të festivalit “Nine Eleven”, në të cilin është shpërblyer me çmimin kryesor, atë për kamerën më të mirë dhe aktorin më të mirë. Në “Tirana International Film Festival” ka marrë çmimin “Best Fiction” (Filmi më i mirë artistik). Ndryshe “Festivali i kombeve” ka nisur rrugëtimin me 13 qershor dhe për shtatë ditë rresht ka qenë nikoqir i filmave të regjisorëve nga vende, si Gjermania, Spanja, Australia, Italia, Kroacia, Franca, Belgjika, Rusia.
Zbulohet qyteti 3 500 vjeçar në Egjipt
Arkeologët austriakë kanë zbuluar në pjesën veriore të Nilit rrënoja nëntokësore të kryeqytetit të mëparshëm të civilizimit pak të njohur të Hyksove, të cilët kanë drejtuar Egjiptin para 3 500 vjetëve, njoftoi Ministria egjiptiane e Kulturës. Populli luftëtar nga Azia, të cilët, siç besohet, janë me prejardhje semite, kanë sunduar Egjiptin për një shekull, nga 1664 deri më 1569 para erës sonë, ndërsa Avarisi, jo larg nga qyteti i tanishëm Tell El-Dab'a, ishte kryeqyteti i tyre verior. Udhëheqësja e ekipit austriak, Irena Miler, shtoi se synimi i projektit ishte “përcaktimi i madhësisë së qytetit antik”. Arkeologët brenda qytetit kanë gjetur një port, si dhe dy ishuj. Delta e Nilit në Egjipt është me popullsi të dendur, për çka janë vështirësuar gërmimet, për dallim nga pjesa jugore e vendit, ku gjenden tempujt dhe varret e famshme. Ekipi i arkeologëve austriak punon në këtë vend që nga viti 1975.
Çelet Java e Çamërisë me një sërë aktivitetesh
Është çelur dje Java e Çamërisë me aktivitete në kujtim të 27 qershorit, ditës së njohur si dita e genocidit karshi popullsisë shqiptare çame. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e shtypit të Partisë për Drejtësi dhe Unitet (PDU), e cila ka si një nga pikat kryesore të programit dhe statutit të saj, mbrojtjen e çështjes çame. Kështu, bëhet me dijeni se aktiviteti i parë që do të hapë këtë javë, ka qenë një mbasdite e mrekullueshme që është mbajtur dje në orën 18.30 në mjediset e Shtëpisë së Oficerëve, ku janë prezantuar Balada Çame, një këngë me vargjet e Bilal Xhaferit, kompozuar nga Edmond Zhulali dhe kënduar nga Enkelejda. Të pranishëm kanë qenë artistë dhe personalitete nga të gjitha trevat shqiptare, i ftuar nderi Adem Demaçi.
22 Qershor 2010