Liga e Kampioneve, një Sherif për Dinamon
Dinamo peshkoi kampionen e Moldavisë, Sherif Tiraspol, në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve, në një short ku merrnin pjesë 36 skuadra kampione. Në turin e parë eliminator (29/30 qershor dhe 7/7 korrik) marrin pjesë vetëm katër ekipe të ndara në dy çifte. Në turin e dytë, ku merr pjesë edhe kampionia e Shqipërisë, Dinamo, janë 34 çifte skuadrash. Dinamo ka arritur të shmangë emra të frikshëm si Partizani i Beogradit, Dinamon e Zagrebit, Hapoelin e Tel-Avivit dhe Omonian e Nikosias. Ndeshja e parë do të luhet në Moldavi (13/14 korrik), ndërsa ajo e kthimit në Tiranë (20/21 korrik). Luis Manuel Blanko, trajneri argjentinas i kampionëve në fuqi të Shqipërisë, Dinamos, deklaroi në prezantimin e tij zyrtare se ka ardhur për të realizuar objektiva të mëdha. Dinamo dështoi në edicionin 2008-2009, kur me argjentinasin Marcelo Havier Zuleta në bankinë u eliminua nga kampionia e Bosnjës, Modrica. Trajneri i ri i argjentinas i Dinamos, Luis Manuel Blanko, gjatë prezantimit të tij tha se synon kalimin e tyrit të dytë eliminator të Ligës së Kampioneve.
“Dua titullin (e 19-të), Kupën e Shqipërisë (Dinamos i mungon nga viti 2003) dhe kualifikim në Ligën e Kampionëve, duke kaluar fillimisht turin e dytë, e pastaj të synojmë edhe më tepër”
Sherif Tiraspool është një prej skuadrave më të njohura në Moldavi. Merr pjesë rregullisht në Ligën e Kampioneve nga edicioni 2001-2002, ku vazhdimisht ka kaluar turin e parë.
Në edicionin e fundit të Ligës së Kampioneve, Sherif Tiraspol kaloi në turin e dyte finlandezët e Inter Turkut, në të tretin eliminoi Sllavian e Pragës dhe në play-off u eliminua nga Olimpiakosi i Pireut, kundërshtarit aktual të Besës në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës. Sherif Tiraspol ka një skuadër të përzierë, ku përveç futbollistëve moldavë bëjnë pjesë serbë, gjeorgjianë, rusë, rumunë, ukrainas, malazezë, afrikanë nga Burkina Faso, bullgarë, madje edhe një brazilian.
Dinamo e kaluar për herë të fundit një tur në Ligën e Kampioneve në sezonin 2002-2003. Dinamo fitoi në transfertë 2-3 me FK Kaunas në Lituani (17 korrik 2002: golat Ahmataj 55’, Pisha 56’, Qorri 76’ )dhe barazoi 0-0 në Tiranë (24.07.2002). Në turin e dytë Dinamo u eliminua nga Brondby e Danimarkës (dy humbje 0-1, 0-4).
AVENTURA E FUNDIT
Në aventurën e fundit në Europë, në Ligën e Europës, Dinamo u eliminua në turin e parë eliminator të Ligës së Europës nga finlandezët e FC Lahti (humbi 4-1 në Finlandë, fitoi 2-0 në Tiranë).
Liga e Europës, zbardhen kundërshtarët:
Në turin e parë eliminator: Tirana-ZTE, Laçi- Dnepr Mogileve. Turi i dytë: Besa-Olimpiakos i Pireut
Tirana, skuadra shqiptare me më shumë ndeshje në Europë do të përballet me hungarezët e Zalaegerszegi TE në turin e parë eliminator të Ligës së Europës, ndërsa debutuesi historik shqiptar, Laçi, do të sfidojë bejllorusët e Dnepr Mogileve. Ndeshjet e para do të luhen, më 1 korrik ndërsa ato të kthimit, më 8 korrik (në Hungari e Bjellorusi). Besa, fituesja e Kupës së Shqipërisë, do të përballet në tyrin e dytë kualifikues të Ligës së Europës kundër rekordmenëve të Greqisë, Olimpiakosit të Pireut. Nëse Tirana do të eliminojë skuadrën hungareze, Zalaegerszegi TE, atehërë do të përballet në turin e dytë me holandezët e Utrehtit. Laçi nëse ia del të kalojë bjellorusët e Dnepr Mogileve do të ndeshet me norvegjezët e Stabaek, skaudra që eliminoi sezonin e kaluar Tiranën në turin e dytë të kualifikueseve të Ligës së Kampioneve. Në turin e parë eliminator marin pjesë 52 ekipe, të ndara në 26 çifte (ndeshjet zhvillohen, më 1 dhe 8 korrik), ndërsa në turin e dytë do të krijohen 40 çifte ekipesh, e ku marin pjesë skuadra të tilla si Olimpiakos (Greqi, është çiftuar me Besën e Kavajës), Beshiktashi, Rapidi i Vjenës (skuadra e Hamdi Salihit dhe Atdhe Nuhiut). Në Ligën e Europës merr pjesë edhe skuadra e Admir Telit, azerbajxhanasit e Qarabag, e trajnuar tani nga ish-kapiteni i Anglisë, Toni Adams. Qarabag do të luajë kundër Metalurgut të Shkupit. Anorthosis Famagusta e ish-portierit Arjan Beqaj merr pjesë në turin e parë.
Në turin e parë eliminator merr pjesë edhe ish-skuadra e Altin Haxhit, qipriotja Apoel, si dhe Turi i tretë midis ekipeve të tjera ofron edhe Liverpulin. Kampionia në fuqi e Ligës së Europës është Atletiko e Madridit. Finalja do të luhet në Irlandë, në “Dublin Arena”, më 18 maj 2001.
Liga e Europës
Turi i parë eliminator
1/8 korrik 2010
Tirana- Zalaegerszegi TE (Hungari)
Laçi-Dnepr Mogileve (Bjellorusi)
Turi i dytë eliminator
15/22 korrik 2010
Besa-Olimpiakos (Greqi)
Utreht-fituesja Tirana/Zte
Stabaek (Norvegji)-Laçi/ Dnepr Mogileve
ZTE-ja ka mundur Mançester Junaitid
Kundërshtari i Tiranës, Zalaegerszegi Torna Egylet (ZTE), u rendit në vendin e pestë sezonin e kaluar në kampionatin hungarez, duke koleksionuar 53 pikë në 30 ndeshje (15 F, 8B, 7H).
President i skuadrës është Ferenc Nagy, ndërsa trajner është Janosh Csank (54 vjeç), një ish-portier dhe një nga trajnerët më të suksesshëm në Hungari (ish-trajner i Ferencvaroshit). Fanellat zyrtare i ka të bardha. Ndeshjet i luan në stadiumin “Ground ZTE Arena” (14 mijë vende). Zalaegerszegi Torna Egylet është ekipi i qytetit hungarez Zalaegerszeg, në kohën kur ishte ende gjallë perandoria austro-hungareze. Është themeluar në vitin 1912 (Tirana, në vitin 1920). Skuadra bëri bujë nën drejtimin Jozef Vadash. Historia në kampionat nis në vitin 1924, kur Zalaegerszegi ishte pjesë e kategorisë së dytë hungareze. Në vitin 1934 fitoi titullin e këtij kompeticioni dhe u bë pjesë e elitës së futbollit hungarez. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore nën regjimin e admiralit Miklos Horthi fusha dhe pajisjet e skuadrës u konfiskuan. Pas luftës, në vitin 1957, ZTE u shkri me dy ekipe të tjera lokale, duke sinjalizuar rilindjen e klubit. Nga ai vit deri në fillim të viteve 1990, ZTE nuk ishte një ekip me pretendime. Kampionatin dominohej nga klubi i kryeqytetit hungarez, Ferenvarosh i Budapestit. Në vitin 1994, ZTE fitoi një vend midis ekipeve më të mira të Hungarisë, ndërsa në sezonin 2001-2002 fitoi titullin e parë kampion duke lënë pas Ferencvaroshin. Shkëlqimi zgjati shumë pak, pasi u rendit në sezonet pasardhëse në vendet e ulëta të renditjes.
Në historinë e saj ndërkombëtare, ZTE, eliminoi në Ligën e Kampionëve kampione e Kroacisë, NK Zagreb (me gol në fushën kundërshtare) në turin e dytë dhe në turin e tretë takoi Mançester Junaitid, duke arritur një fitore historike në Hungari 1-0 me golin e minutave të fundit nga Bela Koplarovics. Megjithatë, në ndeshjen e kthimit humbi 5-0 në “Old Traford”, duke u eliminuar nga vazhdimi i kompeticionit.
Në Ligën e Kampioneve (1 paraqitje) ka zhvilluar 4 ndeshje: 2 fitore, 2 humbje (3-7 golat, një tur i kaluar). Në Kupën UEFA (1 paraqitje) ka bilanc negativ: 2 ndeshje, 2 humbje (1-9 golat). Edhe në ish-kupën Intertoto ka bilanc negativ: 2 ndeshje, 2 humbje (0-5 golat).Mançester Junaitid, Rubin Kazan, NK Zagreb janë disa nga skuadrat që është ndeshur në arenën ndërkombëtare.
Në skuadrën që mbylli sezonin e kaluar, përveç lojtarëve hungarezë numëron dy lojtarë serbë, dy sllovenë një malazias, një letonez, , një sllovak, një boshnjak, por dhe një holandez me origjinë indiane (Princ Rajkomac). Në ndeshjen e fundit miqësore (të laujtur sot), ZTE fitoi 2-1 me Krilia Szovetov; golat nga Illes dhe Rajkomac.
Rivalja e Laçit: Dniper Mogilev
Skuadra bjelloruse ka një eksperiencë të vogël ndërkombëtare
Kundërshtari i Laçit në turin e parë eliminator të Ligës së Europës, Dnepr Mogilev, është një skuadrër bjelloruse e qytetit Mogilev. Mogilev, ndryshe nga Laçi, që nga ana e tij luan për herë të parë në Europë (është skuadra e 13-të shqiptare që merr pjesë në një kompeticion europian për klube), ka një eksperiencë të vogël ndërkombëtare. Ecurinë më të mirë ndërkombëtare e ka realizuar në ish-kupën Intertoto, ku ka marrë pjesë 3 herë.
Në gjirin e skuadrës që përfundoi sezonin e kaluar (në vendin e tretë), përveç bazës bjelloruse ka lojtarë edhe nga Ukraina (3), Lituania. Trajneri i skuadrës është Andrey Skarabagatska. Dnepr e ka fituar vetëm një herë kampionatin bjellorus në vitin 1998. Në Ligën e Kampioneve (1999-2000) u eliminua nga ekipi suedez, Solna. Dnepr ka ndërruar pesë emrin e skuadrës, nga viti 1960, teksa për herë të fundit ndryshimin në emrin aktual e ka bërë në vitin 2006. Dnepr i luan ndeshjet e tij në stadiumin “Spartak Stadion”.
22 Qershor 2010