E Diel, 1 Nëntor 2026

Publikohen zërat origjinal të Konicës dhe Zogut në vitet 1938-1939



Një pasuri kombëtare dhe që mund të quhet thesar i arkivave të historisë sonë. Studiuesi dhe albanologu Robert Elsie ka siguruar zërin origjinal të Faik Konicës, një nga figurat më të rëndësishme të kulturës dhe politikës shqiptare të shekullit të kaluar si dhe të Ahmet Zogut, një personazh mjaft i rëndësishëm historik që drejtoi shtetin shqiptar për afro 20 vjet. Elsie ka siguruar një prononcim të Konicës të vitin 1939 të marrë nga një gazetar amerikan i stacionit radiofonik NBC ,"National Broadcasting Company" në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ai ishte ambasador ose siç quhej në atë kohë ministër i Shqipërisë në SHBA. Konica është duke folur pas pushtimit të Shqipërisë nga ana e Italisë dhe ai komenton pikërisht këtë pushtim. Ja incizimi dhe zbardhja në shqip e fjalëve.
"A keni ndonjë mesazh apo fjalë që do t'ia kishit thënë popullit amerikan?"
Konica: "Jo nuk kam ndonjë mesazh, nuk dua ta dramatizoj situatën, pasi ajo flet vetë. Dua ta falënderoj 'National Broadcasting Company' për shansin që ma dha për të folur. Mes shqiptarëve dhe Amerikës ekzistojnë ndjenja të forta. Ne nuk mund të harrojmë misionin e Kryqit të Kuq pas lufte dhe personelin që kanë lënë në vendin tonë që ndikoi në themelimin Kryqit tonë të Kuq. Lëvizja për çlirimin e Shqipërisë është inspiruar nga idealet amerikane dhe kujtimi i së shkuarës sonë. Janë refugjatë shqiptarë në SHBA, të cilët i dhanë forcë kësaj lëvizje . Siç theksoi sot dhe Sekretari amerikan i Shtetit, pushtimi i vendit tim ishte një shkelje e të drejtave që çdo populli në botë, dëshirën për paqe".

Ndërsa zëri tjetër është i Amet Zogut dhe është marrë në mes të vitit 1938 dhe mendohet se është një nga incizimet e rralla sipas Robert Elsie. Ky incizim ka dal nga arkivi i djalit të Mbretit Zog, Princit Leka. Mbreti Zogu në këtë prononcim i cili del pas afro 80 viteve i drejtohen ushtarëve të tij me këto fjalë.
Zogu: "Jam veçanërisht i lumtur të konstatoj, të vështroj me sytë e mi hapat e forta që ushtria shqiptare bën kundrejt disiplinës edhe kundrejt përparimit. Rroftë ushtria armate, rroftë fuqia armate e kombit shqiptar". Pas disa sekondave qetësie nga ana e ushtarëve dalin edhe këto fjalë. "Rroftë, rroftë! Rroftë. Mbreti! Rroftë Mbreti"!.
Të dy incizimet tashmë janë pjesë e një historisë që në rastin më të mirë nuk e kemi mësuar mirë dhe në rastin më të keq e kemi mësuar shumë keq. Incizime të tilla na ndihmojnë të sjellim ashtu siç kanë qenë figura të rëndësishme të kombit tonë, por që fatkeqësisht këtë punë po na e bëjnë të huajt. Historianët dhe studiuesit shqiptarë ende në këtë pikë janë disa hapa larg të huajve. Një prej tyre është edhe Robert Elsie.

22 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›