E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: “Me Serbinë mund të bisedojmë, por jo për statusin”



Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu është shprehur se qëllimi kryesor i Kosovës është anëtarësimi i saj në strukturat euroatlantike, por në të njëjtën kohë vendi ka marrëdhënie shumë të mira me vendet fqinje, dhe është e interesuar që të ketë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë, por gjithmonë në raport të dy shteteve të barabarta. Presidenti Sejdiu i bëri këto komente në takimin me një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Sejdiu tha se ka një varg çështjesh për të cilat mund të bisedohet me Serbinë, por theksoi se asnjëherë nuk do të bisedohet për statusin e Kosovës dhe tërësinë e saj territorial, që është një çështje e mbyllur një herë e përgjithmonë. Lidhur me praninë e NATO-s, presidenti kosovar tha se reduktimi i tyre duhet bërë paralelisht me stabilitetin e vendit dhe me ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Greqi
Rifillojnë grevat e përgjithshme kundër qeverisë

Kanë rifilluar në Greqi grevat e përgjithshme kundër planit anti-krizë të qeverisë dhe kundër reformës së pritur të pensioneve.
Më 23 qershor do të ketë një grevë kombëtare në sektorin e transporteve, e cila do të ndiqet nga greva të tjera që do të përfshijnë portin e Pireut, sektorin publik dhe atë privat.
Gjithashtu, më datë 24 do të ketë manifestime masive në qytetet kryesore të shtetit helen, bëjnë të ditur agjencitë lokale të lajmeve. Plani i pensioneve parashikon ngrirje dhe shkurtime, rritje të moshës në 65 vjec me 40 vite kontribut duke filluar nga viti 2015.

22 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›