E Diel, 1 Nëntor 2026

Hekurudhat kërkojnë pronat, nisin nga Shkodra

Drejtoria e Për-gjithshme e Hekurudhave kërkon "të marrë" pronat në Shkodër.

SHKODER/ RITVAN DIBRA

 Kreu i saj, Zamir Ramadani, ka qenë drejt veriut për një takim me prefektin Maxhid Cungu si dhe drejtuesit më të lartë të të gjitha njësive vendore ku kalon hekurudha.
Sipas tij, me një vendim të qeverisë, zonat ku kalon hekurudha do të jenë pronë e Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhës dhe përvetësimi i tyre do të nisë nga kufiri verior e deri në skajet ku kalon traseja. Në këtë mënyrë parashikohet shmangia e ndërtimeve të paligjshme pranë hekurudhës apo abuzimi i vendorëve, për të dhënë leje për ngritjen e objekteve në këto zona. Por realizimi i kalimit të pronësisë nga njësitë vendore te hekurudhat duhet që të bëhet në bazë të bashkërendimit të dokumentacioneve. Që të mos ketë pasaktësi, është vendosur që paralelisht dokumentacioni të përgatitet si nga njësitë vendore, ashtu dhe nga vetë Drejtoria e Hekurudhave. Por mesa duket njësitë vendore janë shumë prapa me këtë procedurë. Tonin Çefa, jurist i Drejtorisë së Hekurudhave, është shprehur se vetëm komuna e Gurit të Zi ka dërguar dokumentacionin e plotësuar të sipërfaqeve që janë pronësi e hekurudhës. Ramadani i ka kërkuar prefektit Cungu që të nxisë njësitë vendore në plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, duke u lënë si afat 1 muaj kohë. Vetë kreu i Hekurudhave pohoi se, tashmë transporti hekurudhor me Malin e Zi, i vetmi ndërkombëtar në Shqipëri, do të jetë në qendër të vëmendjes. "Jemi në fazën e rikonstruksionit dhe linjën hekurudhore me Malin e Zi e kemi prioritet, pasi lidh Shqipërinë me vendin fqinj dhe më pas ato evropiane. Ne synojmë që të realizojmë dhe transportin hekurudhor të pasagjerëve me Malin e Zi, sidomos në një kohë kur tashmë transporti i mallrave është rritur 3-4 fish", pohoi Ramadani. Në vitin 2007, sipas tij, janë arritur rezultate mjaft pozitive falë linjës hekurudhore të Malit të Zi. Megjithatë nuk mund të flitet për përmirësim të këtij lloj transporti pa u zgjidhur problemi i mbikalimeve. Nga një studim i bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave, zona e Shkodrës konsiderohet si një ndër më problematiket për ndërtimet pa leje. Ndërsa Gramoz Gjikolli, drejtor i infrastrukturës hekurudhore, është shprehur se në 40 km hekurudhë është e pafalshme që të ketë rreth 75 kalime të paligjshme. "Duhet të organizohen takime të veçanta pas një studimi të komunave për të përcaktuar rrugë paralele për eliminimin e kalimeve të paligjshme", deklaroi ai. Vetëm për vitin e kaluar janë shënuar 6 aksidente me 8 persona të plagosur në Qarkun e Shkodrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›