E Diel, 1 Nëntor 2026

I penduari i "Bandës së Lushnjës", i maskuar si polic në gjykatë

TIRANE - Petrit Liçi, i penduari i "Bandës së Lushnjës", u paraqit dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda i veshur si polic. 

Bluzë me mëngë të shkurtra, kapuç-maskë i zi, pantallona ngjyrë blu të theksuar, i rrethuar nga specialët e "Brisk", personi që "fundosi" me dëshmitë bandën e Aldo Bares, dallohej nga policët vetëm se nuk kishte armë në dorë. Liçi u shoqërua dje nën supermasa sigurie në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku u shqyrtua kërkesa e tij për lirimin me kusht, me pretendimin se sillej mirë në qeli dhe se sipas ligjeve shqiptare kërkesën për lirim parakohe mund ta paraqitë çdo i burgosur që ka shlyer tre të katërtat e dënimit. Seanca për shqyrtimin e kërkesës së tij u zhvillua me dyer të mbyllura dhe nën supermasa sigurie. Ndërsa një javë më parë e njëjta kërkesë iu rrëzua Liçit po nga kjo gjykatë me argumentet se vetë i pandehuri hoqi dorë nga ajo. Ndërkohë, burime nga procesi pohuan atëherë se shkak për rrëzimin e kërkesës së Liçit ishte moskompetenca e Gjykatës së Krimeve të Rënda për të shqyrtuar kërkesa të tilla. Sipas ligjeve në fuqi gjykata kompetente për lirimet me kusht për sjellje të mirë në qeli është ajo që ka dhënë vendimin, nëse burgu ku po vuhet dënimi ndodhet brenda juridiksionit të gjykatës. Nëse rezulton se territori i burgut, ku ndodhet i dënuari përfshihet në juridiksionin e një gjykate tjetër, atëherë kjo gjykatë shqyrton kërkesën për lirimin e parakohshëm. Burime nga organi i akuzës i Krimeve të Rënda, institucion i cili është shprehur dakord për lirimin e Liçit nga qelia, pohuan dje se kërkesa e tij u rrëzua nga gjykata sërish me argumentet se kompetencën për shqy-rtimin e asaj e ka Gjykata e Tiranës, ndërsa Liçit i kanë mbetur edhe rreth një vit e gjysmë për të vuajtur nga dënimi i marrë në vitin 2005. 29-vjeçari lushnjar, Perit Liçi, ish-anëtar i bandës së Aldo Bares, i cili tashmë ka fituar statuset: "dëshmitar, i penduar" dhe "bashkëpunëtor i drejtësisë", ndodhet në qeli prej disa vitesh kur u arrestua në kuadër të organizatës kriminale. Gjatë hetimeve ai pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë, duke zbardhur pjesën më të madhe të krimeve, por në të njëjtën kohë "fundosi" me dëshmitë e veta 14 anëtarët e tjerë të bandës, përfshi edhe kreun e saj Aldo Bare, i cili aktualisht ndodhet i arrestuar në Turqi për llogari të drejtësisë shqiptare. Në gjyqin që përfundoi në shtator të vitit 2006, Liçi u gjet fajtor për pesë vepra të rënda kriminale dhe u dënua me 25 vjet burg, por për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, dënimi për të u ul në shtatë vite burg.                   fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›