E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër-Hani i Hotit, tmerri për drejtuesit e mjeteve

SHKODER - Aksi nacional Shkodër-Hani i Hotit, si një nga akset kryesore që lidh vendin tonë me Evropën, është pothuajse i pakalueshëm nga amortizimi i saj si dhe i sinjalistikës rrugore.

Pritja vit pas viti e fillimit të punimeve për ndërtimin e superstradës nga qyteti deri në doganën më të madhe të veriut, duket se vazhdimisht është bërë shkak për neglizhimin në mirëmbajtjen e rrugës aktuale dhe në vendosjen e ripërtëritjen e sinjalistikës rrugore. Edhe pse pak ditë më parë, si rrjedhojë e ankesave të shumta nga drejtuesit e mjeteve, u realizua mbyllja e disa prej gropave të kësaj rruge, përsëri është pak për një rrugë nacionale. Tjetër problem është dhe mungesa e sinjalistikës rrugore. Mungesa e tabelave të qarkullimit shpesh është bërë shkak i ndalesave të drejtuesve të automjeteve, kryesisht atyre të huaj apo atyre që vijnë nga zonat e tjera të Shqipërisë, të cilët duke mos e njohur rrugën detyrohen të pyesin kalimtarët vendas nëse janë në drejtimin e duhur apo jo. Kryebashkiaku i Koplikut, Ramadan Lika, thotë se situata do të ndryshojë shumë shpejt. "Gjatë këtij muaji, me një fond prej 22 milionë eurosh priten të fillojnë punimet për ndërtimin e aksit rrugor aq të domosdoshëm jo vetëm për zonën e Malësisë së Madhe, por të gjithë vendin. Krahas mbushjes së gropave të rrugës kemi përcaktuar edhe pikat më të rëndësishme ku do të vendoset sinjalistika rrugore me të gjitha tabelat treguese", pohon Lika.               r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›