Rrëmbimi, dështon arresti i Sefgjinit
Fatos Mahmutaj
Gjykata e Krimeve të Rënda i konsideroi dje, të pa mjaftueshme provat e paraqitura nga Prokuroria në kërkesën e saj për të vendosur arrest me burg ndaj tre ish-punonjësve të SHIK-ut, të akuzuar për rrëmbimin e Remzi Hoxhës. Duke u nisur nga rreziku se të pandehurit mund t'i shmangeshin drejtësisë, akuza kërkoi lënien e tyre në arrest shtëpie. Për mëse pesë orë, në dy seanca gjyqësore, ditën e djeshme prokurori i çështjes Xhevat Hana, paraqiti para gjyqtarit Fran Prendi pretendimet për vendosjen e masës shtrënguese "arrest në shtëpi", për tre të akuzuarit që ndodhen në Tiranë Arben Sefgjini, Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, si dhe shpalljen në arrest ndërkombëtar së të pandehurit të katërt Ilir Kumbaro. Në seancat e zhvilluara me dyer të mbyllura, u paraqit vetëm pala akuzuese, ndërsa të pandehurit, Sefgjini, Meçe e Koldashi, kishin nënshkruar në fletëthirrjet e gjykatës duke u shprehur se, kërkonin të përfaqësoheshin në mungesë nga avokatët e tyre që i kishin mbrojtur gjatë hetimit. Avokatët nuk u paraqitën në seancë, pasi gjykata nuk i kishte njoftuar zyrtarisht. Një prej avokatëve që ka mbrojtur Sefgjinin gjatë hetimeve, i kontaktuar dje nga gazeta, tha se nuk kishte dijeni për seancën dhe se nuk kishte asnjë arsye të paraqitej në proces pa marrë njoftim nga gjykata. Por edhe pse nuk u paraqitën të akuzuarit e avokatët, gjykata pranoi të shqyrtonte kërkesën e prokurorisë.
Vendimi
Gjykata nuk shpalli vendim në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke e shtyrë shpalljen për paraditen e sotme, pasi provat e paraqitura u vlerësuan të pamjaftueshme nga gjyqtari i çështjes. E njëjta kohë vihet në dispozicion të mbrojtjes e të pandehurve për t'u përgatitur e përballur në gjykatë me kërkesën e akuzës, pasi dje iu ripërsëritën njoftimet për zhvillimin e gjyqit. Pas kësaj, prokuroria pohon se do të dorëzojë në gjykatë prova të tjera. Prokuroria argumenton në bazë të këtyre provave kërkesën e dytë për masë shtrënguese ndaj tre ish-punonjësve të SHIK-ut, pas bllokimit të pasaportave të tyre dy javë më parë. Krimet e Rënda kanë vendosur që dosja për zhdukjen e Remzi Hoxhës të nisë të gjykohet më 16 maj. Kjo datë është caktuar, pasi gjykata mori përgjigjet e fletë-thirrjeve që u dërgoi Sefgjinit, Meçes dhe Koldashit, ky i fundit ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Për Kumbaron, që u hetua në mungesë, ende nuk ka një adresë, pasi ai është larguar jashtë shtetit.Ndërkohë, Prokuroria e cila ka qenë dakord me heqjen e masës së sigurisë për ta, në vitin 2004, e kërkoi sërish dje për Sefgjinin, ish-drejtori i SHIK për degën e Tiranës, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve; Kumbaron ish-kreu i SHIK në Drejtorinë Qendrore; Koldashin ish-shef i bazës së vëzhgimit dhe Budjon Meçe, ish-inspektor, të akuzuar për "rrëmbim me pasoja të rënda" dhe rrezikojnë dënim që mund të shkojë deri në burg të përjetshëm nëse gjenden fajtorë.
Dy masa sigurie për një akuzë
TIRANE - Kërkesa e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për vendosjen e masës së sigurisë "arrest shtëpie", ndaj tre ish-punonjësve të Shërbimit Informativ Kombëtar është bërë gati dy javë pas përfundimit të hetimeve. Në momentin kur mbylli hetimet, prokuroria nuk bëri asnjë kërkesë për masë sigurimi ndaj katër të pandehurve. Afatet e paraburgimit të tyre kishin përfunduar dhe ata sipas ligjit, nuk mund të burgoseshin sërish për të njëjtën vepër penale, rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, pasi për këtë ishin prangosur njëherë në vitin 2004. Mirëpo pak ditë pas dërgimit të dosjes në Gjykatë, prokuroria bëri një kërkesë për bllokimin e pasaportave të ish-agjentëve të SHIK-ut me qëllim që atyre t'u hiqej mundësia e largimit jashtë shtetit. Vetëm pak ditë pasi depozitoi këtë kërkesë në Gjykatë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon një masë të dytë sigurie për tre personat, të cilëve u janë bllokuar pasaportat për të njëjtën akuzë. Juristët e shikojnë zbatimin e dy masave të ndryshme të sigurimit si një veprim të diskutueshëm juridikisht.
Hetimet lanë në hije motivin e rrëmbimit e varrin e Remzi Hoxhës
TIRANE - Dosja penale e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për rrëmbimin e Remzi Hoxhës nuk përmban prova apo të dhëna për motivin e rrëmbimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhës, si dhe nuk hedh dritë mbi vendin ku përfunduan eshtrat e biznesmenit nga Kosova. Dy momentet, ndoshta nga më kryesoret nga ngjarja misterioze kanë mbetur pa u sqaruar në dosje edhe pas 13 vitesh hetim. Prokuroria ka theksuar se, Remzi Hoxha u rrëmbye nga punonjës të SHIK-ut, rreth orës 13:30 në punishten e duraluminit "Albatros", në pronësi të tij pranë ish-frigoriferit në Tiranë. Tregtari kosovar, i cili kishte jetuar për pak kohë edhe në Maqedoni para se të vendosej në Tiranë bashkë me familjen, u dërgua në një bazë sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës. Si pasojë e torturave të ushtruara gjatë marrjes në pyetje, ne katin e dytë të bazës sekrete të Shërbimit Informativ në Vain të Lezhës, Remzi Hoxha gjeti vdekjen. Dosja, përmban materiale të tjera që tregojnë se makina tip "Golf II" me targa TR 2449 C është e regjistruar nga Qarkullimi Rrugor si mjet në përdorim të Drejtorisë së SHIK-ut të Tiranës. Prokuroria i akuzon si të implikuar në mënyra e role të ndryshme në ngjarje, të pandehurit Arben Sefgjini, ish-drejtor i Shërbimit Informativ Tiranë, Ilir Kumbaro, ish-kryetar Dege në Drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë, Avni Koldashi, ish-shef i bazës së vëzhgimit të Drejtorisë SHIK, Tiranë dhe Budjon Meçe, ish-inspektor në Drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë.