E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sërish President: Skenari dhe ëndrra e Saliut

Arian ÇANI

E kam quajtur gjithmonë Doktor gjatë komunikimit tim publik. Nuk e di pse qysh pas Gërdecit, e kam të pamundur ta quaj më Doktor. Nga shkuan dhe e hodhën në erë këtë Gërdecin. Më prishën disa kode komunikimi, të cilat isha mësuar të shkëmbeja me publikun Madje as Berisha nuk arrij dot t’i them pas Gërdecit. E megjithatë, në ditët e tij më të vështira qysh prej revolucionit të ’97, Saliu arriti sërish të ringrihej. Kurba e tij në bursë ishte në rënie të lirë, por Saliu arriti të ndryshojë Republikën në favor të tij. Sigurisht me ndihmën e patjetërsueshme të Ed Ramës dhe gjithë deputetëve të PS. Urime Doktor!
 
A e patë me çfarë nxitimi i bëri ndryshimet në Kushtetutë? Ato ditë thashë me vete “e ka prapë një plan diabolik Saliu”. Përveç të tjerave, ngutja e tij për të futur duart te neni që zgjedh Presidentin nuk është pa gjë: skenari i vetë Saliut President para zgjedhjeve politike të 2009, duke bërë rokadën me Bamir Topin nuk është aspak fantapolitikë. Shumëkush nuk arrin ta besojë. Iu duket e pamundur. Në fakt, është totalisht e mundur.

Ky skenar ka nisur të qarkullojë fort jo vetëm në korridoret e politikës, por edhe në disa zyra ambasadash të huaja në Tiranë, të cilat e shohin si një alternativë për t’i dhënë frymëmarrje qeverisjes aktuale deri në vjeshtën e 2009-ës, që pritet të mbahen zgjedhjet e reja në vend. Dhe ato që më bënë të dyshoja fort se Saliu e ka vërtet këtë skenar në kokë, ishin një ditë në konferencën e përbashkët me kryeministrin çek, ku jashtë çdo konteksti, ai deklaroi: “Nuk kam më asnjë ambicie presidenciale”. Mos! E paska d.m.th… Momenti kur tha në emisionin e tij, te Fevzo, “se nëse do më thërrasë i plotfuqishmi (besoj e kuptuat që i referohej Allahut, Saliu) unë do të mbetem në dispozicion të zgjedhësve të mi…”. Pra? Kujdes! Sa herë që Saliu thotë publikisht jo, është po. Ndodh gjithmonë kështu me Saliun… Në të dyja rastet, këto deklarata ai i bën për të qetësuar palët e të gjitha krahëve dhe për t’i vënë në gjumë deri në çastin e aktit… Një dinak i paparë. Kështu i ka vënë gjithnjë në gjumë kundërshtarët e tij jashtë dhe brenda kështjellës.

Ideja qoftë dhe për një çast se Saliu me anë të ndryshimit të Kushtetutës në nenin e zgjedhjes së Presidentit, mund të rikthehet në krye të shtetit, po tmerron tashmë të gjatë e të shkurtër në korridoret e PS-së dhe jo vetëm. Dyshimi se në shkëmbim të sistemit zgjedhor, Saliu ua zhyti keq të majtëve me nenin e zgjedhjes së Presidentit dhe mocionin për kryeministrin, ka nisur të përhapet me shpejtësi në qytet, duke krijuar idenë se në vitin 2009, e majta do të vijojë sërish në opozitë pas sherreve të forta dhe të vazhdueshme me LSI-në e Ilir Metës. Saliu luan kështu sërish në mënyrë perfekte. Për herë të dytë brenda disa muajsh, Kryeministri aktual arrin të korrë dy fitore spektakolare, duke marrë atëherë Presidentin me Bamir Topin dhe tani Presidentin pa Bamir Topin.

Por përse të mos bëhet dhe njëherë Saliu President në këtë vend? Përse jo dhe 5 vjet Saliu në krye të Republikës së re që ai e pagëzoi vetë me Ed Ramën? A nuk e ndryshoi ai Republikën e dytë për 24 orë, duke u bërë kështu i paprekshëm politikisht? Skenari sipas së cilit Berisha bën rokadë me Topin para fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës, është jo vetëm teorikisht, por edhe realisht i mundshëm. Ndryshimi i Kushtetutës në këtë pikë ia mundëson këtë skenar. Kush do ta kundërshtojë? I duhen thjesht 50+1 të votave në sallë. A nuk është kjo mbyllja më me dinjitet e karrierës së tij politike? A nuk është kjo tani më shumë se kurrë ëndrra e vetme dhe lehtësisht e realizueshme e jetës së tij? 
(ariancani@gmail.com) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›