Hekurudhat në pikë të hallit, duhen 4 miliardë euro për ti rehabilituar
Qeveria po përgatitet të japë me koncesion edhe shërbimin e transportit hekurudhor të vendit. E Përditshmja Shqip i referohet sot zv.ministrit të Transporteve, Ernest Noka tek thotë se presim mbështetjen e BERZH-it për të bërë dy studime, në mënyrë që të identifikohet më qartë forma sesi do të ndërhyhet, dhe më pas vënia në zbatim e opsionit për dhënien me koncesion.
Qeveria kishte deri më tani, katër opsione për ndërhyrjen në rrjetin hekurudhor në Strategjinë për Hekurudhat 2012-2014, të cilat filonin nga mbyllja totale e deri tek investimet kolosale për përmirësimin e të gjithë rrjetit. Dy opsionet e tjera ishin mbajtja e investimeve në këto nivele (për 2012 hekurudhave u janë ndarë 531 milionë lekë, ku më pak se gjysma janë investime) apo investimi vetëm në linjën Tiranë-Durrës, e cila mbart edhe qarkullimin më të madh të udhëtarëve.
Duke lexuar Nokën mëson se ekzekutivi ka hequr dorë nga katër opsionet e mësipërme dhe ka zgjedhur një të pestë: kalimin tek privati. Në raste koncesionesh të ngjashme, privatët zgjedhin segmentet e shëndosha ku kanë mundësi fitimi. Në këto kushte, mundësi më të madhe për tu marrë me koncesion do të kishin linja Tiranë-Durrës dhe ajo Tiranë-Shkodër, e cila bën lidhjen me Malin e Zi , kurse pjesa tjetër do të mbetej përsëri në dorë të shtetit duke kërkuar një investim të madh prej 4 miliardë euro për rehabilitim. Zor se ndonjë shtetar do të marrë më pas guximin për të harxhuar gjithë këtë para, e cila është një llokmë e madhe për buxhetin tonë.