BB-ja jep më tepër fonde për sigurinë e digave

Më tepër siguri të digave në rast të fatkeqësive natyrore. Banka Botërore jep më shumë fonde për të rritur sigurinë e digave në hidrocentrale. Marrëveshja u nënshkrua midis ministrit të financave Ridvan Bode dhe përfaqësueses së BB-së Ksenia Lvovsky. Sipas Bodes ky fond është mjaft i rëndësishëm në këtë situatë emergjente dhe pritet të ndikoj në rritjen e prodhimit të energjisë elektrike në vend.
Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri Kseniya Lvovsky deklaroi se kjo ndihmë që po jepet do të ndikojë në sigurimin e hidrocentraleve kryesore në Shqipëri.
Huaja shtesë do të mbështesë plotësimin e dy aktiviteteve kryesore: Rehabilitimin e ujëshkarkuesve në tri digat e kaskadës së lumit Drin (hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut i Dejës); dhe Rehabilitimin e hidrocentralit të Komanit nëpërmjet rinovimit të pajisjeve elektro-mekanike dhe zëvendësimit të sistemeve ekzistuese të kontrollit, mbrojtjes dhe monitorimit.