E Diel, 1 Nëntor 2026

Helena Kadare: Flirtet e Ismailit? Ato femra aq vend meritonin!

'Unë nuk i meritoja këto debate. Ismaili është çmeritur!" Kështu u shpreh dje pasdite Helena Kadare në lidhje me debatet që së fundmi kanë përfshirë emrin e saj e të Ismail Kadaresë. Reagimi i saj erdhi në stendën e "Onufrit" në panairin e librit, pas interesimit të gazetarëve mbi të ashtuquajturën marrëdhënie të Kadaresë me Rajmonda Bulkun shumë vite më parë. Pa përmendur emrin e aktores, pa përmendur as emrin e gazetarit që aludoi për një lidhje mes shkrimtarit e artistes, Helena Kadare e quajti të ulët këtë debat, dhe u duk e zhgënjyer edhe nga ata që ia kanë dhënë jehonën. Duke i cilësuar vulgarë ata që bëjnë 'show' mbi këtë çështje, Helena Kadare se është jashtë dinjitetit të saj të merret me këtë çështje, dhe sa i takon pyetjes se a do të merrte pjesë në gjyq nëse do të ftohej, ajo tha : "Kurrsesi jo". Më poshtë po botojmë pyetjet e gazetarëve të pranishëm në stendën e
"Onufrit" dhe përgjigjet e Helenës mbi librin me kujtime "Kohë e pamjaftueshme", libër që rrëfen jetën e saj përkrah Ismail Kadaresë, që nga intimitetet deri tek ngjarjet e bujshme.
Si është pritur libri juaj?
Mendoj se media e ka pasqyruar shumë mirë jehonën e këtij libri. Kam parë mjeshtri e nuk kishte si të ishte ndryshe.
Zoti Kadare ka luajtur rolin e kritikut apo mbështetësit?
Të dyja, por më shumë të kritikut, por e kam pranuar kritikën pa asnjë kusht sepse e dija që vetëm më ndihmonte dhe që ishte mbështetje.
Libri juaj ka shkaktuar debate, është hapur edhe një gjyq në lidhje me këtë. Cili është komenti juaj?
Është jashtë dinjitetit tim të merrem me këtë gjë edhe pse ato gjëra u thanë nga njerëz pa seriozitet. Unë mendoj se libri im është një libër serioz dhe ka gjëra shumë më të rëndësishme se ato që trajtohen dhe më duket se nuk e meritoj.
Ai lloj-lloj vulgariteti është përcjellë vetëm nga një pjesë sepse mendoj se media e ka pasqyruar shumë mirë jehonën e këtij libri. Media të caktuara, për arsye që unë nuk di t'i shpjegoj, ngaqë janë vetë njerëz vulgarë, kanë menduar për të bërë një "show". Nëpër botë nuk ndodh që në emisionin e një njeriu që nuk dua t'ia kujtoj as emrin, të gjitha këto bëheshin pa lexuar asnjë rresht të librit tim. Bazoheshin te fantazitë e një tipi tjetër që bënte shfaqje.
Mendoni se lexuesi shqiptar nuk është përgatitur të lexojë kujtime të shkruara kaq hapur?
Në të vërtetë e mendova më pas këtë gjë sepse me njerëzit që rri unë, njerëzit që njoh, flas shoqëria, miqtë, mendoja se ishin krejtësisht të përgatitur dhe ashtu ndodhi. Madje edhe nga njerëz krejt të panjohur kam marrë mesazhe kaq të bukura sa mendova se ia vlente. Ata më falënderonin për këto gjëra.
Ju nuk përmendni emra kur flisni për flirtet e bashkëshortit?
Sepse aq vend meritonin, nuk kanë qenë të rëndësishme në jetën time. Aq ishte roli i tyre dhe nuk mund të flisja më tepër janë të bëra para 40 vjetësh.
Nëse do ju thërrisnin në seancë gjyqësore do të shkonit?
Kurrsesi jo.
Sa kohë keni që nuk nënshkruani autografe?
Një muaj e gjysmë me rastin e botimit në Francë. Këtu është një lumturi më vete, atje kam nënshkruar në disa qytete të Francës, në Strasburg, në Nisë, në Bruksel, në vendet frankofone ka qenë një publik shumë i dashur, por nuk e krahasoj asnjëherë me kënaqësinë që më jep publiku shqiptar. Ishte një lumturi e vazhdueshme që zgjati 15 vjet.
Nëse do të ktheheshit pas do t'i hiqnit ato pjesë të librit ku tregoni hapur flirtet e bashkëshortit?
Jo. Jo.
Jeni penduar që keni shkruar kaq hapur kujtimet?
Jo.
Jeni e kënaqur me interesin që ka pasur libri?
Jam e kënaqur me atë pjesën e shëndoshë të shoqërisë shqiptare. Një shoqëri e porsadalë në liri duket se nuk ka ditur ta përtypi mirë këtë liri që ka marrë dhe një pjesë shumë e vogël dhe e papërfillshme më ka zhgënjyer. Publiku shqiptar, ai publik që unë e dua kaq shumë dhe që e ndiej veten kaq mirë midis lexuesit shqiptar dhe jam e emocionuar.
I keni thënë të gjitha?
Po, më duket se i kam thënë.
Zonja Kadare e keni konkurruar sivjet bashkëshortin tuaj...
Vërtet? Po të jetë kështu kënaqësi më jep sepse gjithnjë është ai ajo vedeta. Megjithatë ai zë një vend të rëndësishëm në libër, kështu sido që të bëj unë ai është i gjithëgjendshëm.
A prisni t'jua kthejë këtë libër me një tjetër libër?
Ai është shumë i kënaqur me atë që kam bërë unë, nuk ka pse të bëjë kundërlibër. E ka aprovuar plotësisht, ndryshe unë nuk mund ta bëja pa pasur aprovimin e tij.
A ndjeheni me fat?
Me shumë fat. Kam pasur një jetë shumë interesante, sigurisht me shumë vështirësira, me çudira, jo gjithnjë e shtruar me lule, por do dëshiroja shumë që vajzat e mia të kishin një fat të këtij lloji.
Keni lënë gjë pa thënë?
Jo, i kam shkruar të gjitha të mirat e të gjitha të këqijat. Duke qenë se shtypi francez shkroi gjerësisht, komplimente më janë bërë për sinqeritetin e tij. Mesa duket e kam zbrazur gjithë shpirtin tim, nuk kam fshehur gjëra.
I ka tejkaluar pritshmëritë tuaja interesimi i publikut?
Prania e Ismailit më bënte që të besoja këtë gjë, se ai pasi e lexoi, i hoqi 100 faqe.
Çfarë janë ato 100 faqe?
Janë raportet e mia me shoqet, me fisin, të cilat i quajti krejt të pavlefshme. Ndërkaq një shoqe më tha ruaji ato.
Bashkëshorti juaj ndihet i fyer pas këtyre debateve?
Jo, nuk është ndjerë i fyer, por i çmeritur po të përdorja një fjalë kosovare. Në fund tha: Pse kaq shumë i fëlliqur të jetë ky vendi ynë? I thashë se as që mund ta mendonte këtë gjë. Një pjesë kaq e vogël e medias që bëri këtë, po gjithë ato mesazhe të bukura që kanë ardhur dhe vërtet ia lexoj mesazhet dhe janë kaq të bukura sa nuk më bën dora t'i shuaj.
Do ishte dakord që këto pjesë të mos ishin në libër, apo e ka dhënë aprovimin?
Jo e ka dhënë aprovimin, si mund ta bëja pa aprovimin e tij. Madje më thoshte se nëse do që të jesh e besueshme duhet t'i thuash gjërat siç mendon, mos mendo se nëse do të bësh ndonjë marifet, publiku e kupton menjëherë që ajo është shtirur. Ky pakt u bë që para 15 vjetësh. Nëse do të bësh një libër që të jetojë, që të ketë sukses, thuaji gjërat si i mendon.
A e keni pasur të vështirë të bëni rolin dytësor si bashkëshorte e Kadaresë?
Në fakt ka qenë një peshë e rëndë.
E mendoni ta ribotoni më vonë me faqet e hequra?
Për momentin nuk e mendoj se është Ismaili që thotë: çfarë janë ato budallallëqe. Quan krejt të pavlefshme sepse ai do gjithmonë esencë. Unë dua pak ujë në verë, më duket më e lehtë për t'u pirë.
Ismaili i ka futur pak duart në libër...
Është një histori që më ndjek që kur kam qenë 20 vjeçe, që kur kam botuar librat e parë kjo gjë është thënë vazhdimisht, mirëpo ai që është lexues i rregullt e kupton që unë jam si nata me ditën me të. Unë ku ta gjeja t'i ngjaja pak, sigurisht kam mësuar shumë prej tij, por nuk mund të them se shkruaj si ai. Kurrsesi jo.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›