Skadon afati , i FSHF-së për Besnik Hasin
Vetë presidenti Duka kishte caktuar fundjavën si “dead-line” për ish-lojtarin kuqezi. Tani duket se do të shqyrtohen kandidaturat e huaja
“Brenda kësaj jave do të caktojmë trajnerin e ri, i cili do të nisë menjëherë nga puna për përgatitjen e dy ndeshjeve miqësore të muajit nëntor me Azerbajxhanin dhe Maqedoninë. Kemi disa projekte që po i shohim dhe i kemi vënë një dead-line vetes që këtë javë t’i mbyllim.” Kjo ishte fraza që deklaroi vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në deklaratën për shtyp në mesjavën e shkuar. Njëshi i futbollit shqiptar kishte caktuar si afat të fundit për trajnerin e ri të kombëtares fundjavën që sapo lamë pas, por java është e mbyllur dhe vendi i trajnerit në pankinën e Kombëtares shqiptare është ende bosh. Gjithsesi, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka zgjedhur, por shkak për vonesën e emërimit të teknikut të ri kuqezi janë detajet e kontratës. I përfolur shumë që pas largimit të Josip Kuzhe, Besnik Hasi është i preferuari i Dukës, por mes palëve ka ide të ndryshme sa i përket kontratës. Numri një i qeverisë së futbollit në vend ofron 2 vjet kontratë, ndërsa Hasi që duhet të përballet me projektin e vështirë për të rinovuar skuadrën nuk pranon më pak se 4 vjet. Jo vetëm kohëzgjatja, pasi një tjetër pengesë është dhe klubi i Anderlehtit, ku Hasi prej gati 5-vjetësh mban rolin e zëvendëstrajnerit. Nëse në fillim belgët ishin shprehur se ishin në kërkim të një zëvendësuesi për teknikun me origjinë kosovare, tani duket se kanë ndryshuar mendje dhe nuk heqin dorë nga Hasi. I takon këtij të fundit të zgjidhë çështjen me Anderlehtin, ndërsa Duka është në pritje të përgjigjes. Për vetë faktin se kosovari ishte alternativa më e vlerësuar për të marrë drejtimin e kombëtares, Duka vendosi t’i jepte disa ditë kohë, për të sqaruar situatën. Në këtë mënyrë, ndryshoi edhe vëmendja e federatës rreth negociatave për rrogën e lartë (20-25 mijë euro në muaj) dhe kontratën afatgjatë (4-vjeçare), të cilat ishin pikat e nxehta të bisedimeve. Tashmë të gjithë prisnin zgjidhjen konsensuale të kontratës së Hasit me klubin mbretëror të Belgjikës. Por, gjithçka është komplikuar, sepse ai nuk ka arritur të bisedojë me presidentin e Anderlechtit, Roger Vanden Stok, i cili ndodhet në SHBA. Por ndërsa priten zhvillimet e mëtejshme të pistës Hasi, në tavolinën e presidentit të FSHF-së janë CV-të e ish-trajnerit të Sllovenisë, Matjas Kek dhe hollandezit Ervin Koeman. Këta të fundit qëndrojnë pas Hasit në listën e Armand Dukës, por kandidatë të fortë, nëse, megjithëse ka shumë pak mundësi që tratativat me ish-kapitenin kuqezi të dështojnë.