E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helikopteri i ministrisë zbulon drogën në Shkrel

 

SHKODER - Zyrtarët e Ministrisë së Brendshme zbulojnë me helikopter drogën mbi Shkrel. Një lëvizje në vijë ajrore mbi komunën e thellë të Malësisë së Madhe prej drejtuesve të këtij dikasteri dhe të Policisë së Shtetit çoi në aksionin e dy ditëve të fundit, ku u korrën plot 3680 rrënjë kanabis sativa. Mësohet se në deklarimet e bëra nga inspektorët e zonës dhe pushtetarët vendorë, kjo zonë rezultonte e pastër në kultivimin e kanabis sativës, por faktet tregojnë të kundërtën. Menjëherë pas konstatimit për sipërfaqet e mbjella me bimë të dyshuar si kanabis sativa u organizua një operacion në këtë zonë. Mëngjesin e së premtes, në vendin e quajtur Pult të fshatit Bogë në komunën Shkrel, policia antidrogë e Shkodrës dhe ajo e Malësisë së Madhe gjetën dhe shkatërruan plot 3680 rrënjë bimë kanabis sativa. Sipas të dhënave të policisë, zona ku u gjet droga është sipërfaqe e shpyllëzuar, duke e bërë të vështirë identifikimin e kultivuesve të saj. Për këtë rast kanë nisur hetimet, ndërsa vazhdojnë verifikimet në terren për zona të tjera ku mund të jetë mbjellë bima narkotike. Zona e Shkrelit është bërë e njohur pas skandalit të asgjësimit të mijëra rrënjë bimë, të cilat sipas banorëve është kërp industrial, ndërsa për policinë është drogë. Ky debat është ende pa zgjidhje, pasi dy palët e kanë dërguar çështjen për zgjidhje në rang ndërkombëtar. Një shoqatë me veprimtari në Britaninë e Madhe e ka marrë përsipër mbështetjen e kultivuesve për prodhimin e kërpit në Shkrel, por policia e ka kundërshtuar faktin se bëhet fjalë për prodhim industriale. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›