E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtruesja "amerikane" del me lotë nga gjyqi

 

TIRANE - "Arjan të lutem bëni diçka për mua. Mbeta në burg tani". Mes lotësh 52-vjeçarja Hanëme Shandori përpiqej të kontaktonte me familjarët e saj, teksa policët e togës së shoqërimit të kryeqytetit po e nxirrnin me pranga nga gjykata për ta hipur në furgonin, që do e çonte në qeli. "Mos u mërzit, do mundohemi të rregullojmë diçka", i tha personi, të cilin ajo e thërriti Arjan, ndërsa pak çaste më vonë 52-vjeçarja kryeqytetase e arrestuar për mashtrim u dërgua në qelitë e paraburgimit. Para gjyqtares së gatshme të kësaj jave, e arrestuara pohoi se nuk kishte mashtruar askënd, ndërsa shumat për të cilat është denoncuar nga 22 persona pohoi se ua kishte borxh. Ajo mohoi t'i kishte premtuar ndonjë personi punësim në ambasadën amerikane në Tiranë, ndërsa pranoi se për shkak të njohjeve të shumta kishte ndihmuar mjaft njerëz të punësoheshin, të cilët në shenjë falënderimi mund t'i kishin bërë ndonjë dhuratë. Gjatë deklarimeve ajo mohoi të kishte marrë përsipër punësimin e "viktimave" të saj në ambasadën amerikane. Përfaqësuesi i prokurorisë, i cili kishte drejtuar hetimin paraprak pohoi se, arrestimi i 52-vjeçares Shandori ishte bërë në flagrancë, pasi në adresë të saj kishin mbërritur 19 denoncime nga qytetarë të ndryshëm, të cilëve pasi u prezantohej si punonjëse e sigurisë në ambasadën USA, u premtonte punësim në këtë institucion, si dhe nxjerrjen e vizave amerikane, kundrejt përfitimit të shumave të majme të parave. Sipas përfaqësuesit të akuzës, Shandori u kërkonte fillimisht "viktimave" të saj si garanci 160 mijë lekë të reja lekësh për person, duke u premtuar edhe lehtësimin e procedurave për marrjen e kredive bankare.                               fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›