E Diel, 1 Nëntor 2026

Merkato, të gjithë të pakënaqur



Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga fillimi i sezonit të ri, edhe pse skuadrat kanë zhvilluar një merkato intensive, askush nuk duket i kënaqur.
DINAMO – Edhe pse fitoi Superkupën e Shqipërisë pak ditë më parë, trajneri i Dinamos, kroati Zllatko Daliç, pohoi se i duhen edhe tre lojtarë për ta quar merkaton të mbyllur dhe atë vetë të kënaqur. Dy lojtarët e Partizanit, Rrahman Hallaci dhe Gjergji Muzaka janë dhe objektivat e kampionëve në fuqi. Dinamo ndeshjen e parë e ka kundër Teutës.
TIRANA – 23-herë kampionët janë në pritje të nënshkrimit me portierin maqedonas Tomislav Paçovski. 25-vjeçari më parë ka mbrojtur portën e Vardarit të Shkupit, por mbron edhe portën e Maqedonisë. Ndeshja e parë e Tiranës është ajo kundër Vllaznisë në Shkodër.
PARTIZANI - Partizani realizoi një tjetër blerje vetëm tri ditë para nisjes së Kampionatit të 70-të Kombëtar të Futbollit. Ermal Varfi është përforcimi i ri i të kuqve. Varfi së fundi ka luajtur me Erzenin e Shijakut. Trajneri Lika është duke përgatitur skuadrën për sfidën e parë kundër Lushnjës.
ELBASANI – Alfred Osmani është zyrtarisht portieri i Elbasanit. Pas refuzimit të Orges Shehit, një tjetër durrsak mbron portën verdheblu. Osmani sezonin e kaluar mbrojti portën e Tiranës. Mbrojtësi Armando Mehmetaj mund të largohet nga Elbasani. 25-vjeçari ka marrë oferta nga Bylis dhe Shkumbini, ku alternativa peqinase duket se është më e pëlqyeshme nga lojtari. Mehmetaj gjatë gjashtë sezoneve të luajtura me Elbasanin është aktivizuar në 99 ndeshje, pa mundur të shënojë qoftë edhe një gol. Futbollisti ka veshur edhe fanellën e Turbinës së Cërrikut.

22 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›