E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkitë, fonde për të pastrehët

Të pastrehët për 1132 apartamentet do të përzgjidhen nga bashkitë. Përcaktohen kategoritë përfituese

Qeveria ka tërhequr kredinë prej 15 milionë eurosh, e cila do t’u shpërndahet nëntë bashkive për ngritjen e apartamenteve për të pastrehët. Ndërtimi i banesave sociale me qira, i cili pritet të fillojë në muajin qershor, tashmë ka sjellë kristalizimin e projektit nga Ministria e Transporteve. Kjo e fundit ka përfunduar ndarjen e fondeve që do t’u shpërndahet nëntë bashkive nga kredia prej 15 milionë eurosh të tërhequr nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës. Sipas statistikave, ndërtimi i një godine banimi zgjat 11 deri në 18 muaj. Po ashtu, nga ana e Ministrisë së Transporteve janë përcaktuar edhe kategoritë që do të përfitojnë nga ndërtimi 1132 apartamenteve për të pastrehët. Konkretisht, kategoritë përfituese duhet të plotësojnë dy kushte bazë, ku fillimisht nuk duhet të disponojnë banesë në pronësi dhe të kenë të ardhura të ulëta. Brenda këtyre kushteve do të përzgjidhen me përparësi familjet që kanë në përbërjen e tyre invalidë dhe persona me aftësi të kufizuar. Persona që kanë statusin e jetimit, gra të divorcuara që kanë në ngarkim fëmijë, të moshuar pa përkrahje dhe çifte të reja që martohen në moshën 55-vjeçare. Po ashtu, sipas ndarjes së fondeve që janë kryer nga Ministria e Transporteve, parashikohen që nga fondet që do t’i shpërndahen Bashkisë së Tiranës, do të ngrihen 360 apartamente. Një numër i konsiderueshëm apartamentesh do të ngrihen edhe në qytetin e Durrësit, i cili arrin në 240 apartamente, Berat 24 apartamente, Elbasan 96 apartamente, Fier 96 apartamente, Kavajë 48 apartamente, Korçë 96 apartamente, Peshkopi 24 apartamente dhe Shkodër 48 apartamente. Projekti do të koordinohet nga Ministria e Transporteve, kurse bashkitë do të ngrenë struktura, të cilat do të jenë përgjegjëse për zbatimin e të gjithë ciklit të projektit deri në përfundimin e ndërtimit. Po ashtu, do të jenë bashkitë ato të cilat do të përzgjedhin përfituesit dhe do të lidhin kontratat e qirasë. Po ashtu, pak ditë më parë qeveria përcaktoi edhe kriteret e çmimit të shitjes së truallit, ku çmimet referuese do të shërbejnë për çmimet e tokës, të përcaktuara nga Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave. Çmimin e tokës nuk do ta paguajnë vetëm ato familje të cilat kanë të ardhurat për frymë nën 9 mijë lekë. Kredia do të shlyhet për 20 vjet, ku 5 vjet nuk do të ketë pagim të interesit. Principali i kredisë do të shlyhet nga bashkitë, ndërsa interesi nga buxheti i shtetit. Kredia financon 60 për qind të vlerës totale të projektit, kurse TVSH-ja do të rimbursohet nga shteti. Kurse bashkitë do të mbulojnë kostot lokale, pra 40 për qind të vlerës së projektit pa TVSH. Dy bashkitë e mëdha, ajo e Tiranës dhe Durrësit do të mbulojnë 100 për qind të kostove lokale me të ardhurat e tyre. 

Shumë e kredisë        Nr. i apartamenteve

Tiranë                           5.685.000                    360

Berat                            624.120                       24

Durrës                          3.341.140                    340

Elbasan                        1.127.870                    96

Fier                              1.325.000                    96

Kavajë                         662.000                       48

Korçë                          1.196.600                    96

Peshkopi                      381.000                       24

Shkodër                       662.000                       48

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›