E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Hendbolli shqiptar, eksperiencë hungareze

Hendbolli në shkollë, por jo vetëm, edhe në sallë si një disiplinë që mund të ringrihet në vendin tonë. Ky ka qenë qëllimi i vizitës së dy drejtuesve të lartë të Federatës së Hendbollit të Hungarisë në Shqipëri, të cilët kanë mbërritur me iniciativën e sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Hendbollit, Armand Çakalli. Bëhet fjalë për Kingsburg Zoltan, Drejtori i Projekteve për hendbollin në sallë dhe Neukum Tamash, Drejtor i Përgjithshëm për hendbollin në plazh. Të dy këta drejtues janë pritur dhe nga Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, teksa kanë qenë të shoqëruar dhe nga përfaqësuesi i Ambasadës së Hungarisë në Tiranë, Antal Kulcsar.

Të dy përfaqësuesit e hendbollit hungarez janë për herë të parë në vendin tonë, ndërsa Zoltan është i kënaqur me të gjitha takimet e zhvilluar.

 “E vërtetë jam për herë të parë në Shqipëri dhe kjo me ftesë të mikut tonë Armand Çakalli, që është sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Hendbollit. Jam i kënaqur që patëm edhe këtë takim me presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli. Një takim i rëndësishëm për zhvillimin e sportit e në veçanti të hendbollit. Duhet të kuptojmë të gjithë që sporti është katalizatori i jetës”.

E Zoltan, duke i ecur asaj që Federatat Sportive në vend kanë kërkuar për rihapjen e basteve sportive si një mundësi financimi më tepër, ka dhënë edhe opinionin e tij.

 “Opinioni im është se të gjitha kompanitë e basteve mund të jenë një ndihmë e madhe financiare për sportin. Madje edhe për turizmin, apo dhe fusha të tjera të jetës. Në veçanti ato mund të jenë një ndihmë edhe për hendbollin dhe basketbollin. I japin një dorë zhvillimit të sportit, por duhen formalizuar, sikurse e kemi dhe ne në Hungari”.

E tanimë shpresohet që pas këtij takimi hendbolli në Shqipëri të marrë një tjetër hov.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›