E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Polonia, leksion Shqipërisë

Polonia ka siguruar kalimin për në fazën tjetër të Kampionatit Europian të moshës deri në 19 vjeç në volejboll për vajza, teksa ka marrë dhe fitoren ndaj Shqipërisë, 3-0 në sallën olimpike “Feti Borova”. Në një ndeshje të dominuar tërësisht nga polaket, Shqipëria nuk ka mundur të bëjë dot asgjë. Diferencat janë të mëdha në fushën e lojës, ndërsa Polonia ka rrëmbyer dy sete njëherazi, 25-7. Ka një farë reagimi nga vajzat tona në setin e tretë, por që gjithsesi përsëri gjërat janë për Poloninë, 25-17.

Në përfundim të ndeshjes ka ardhur për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar, trajneri i Polonisë, Vieslav Popik: “Për ne është një mision i përmbushur kalimi në fazën tjetër të Kampionatit Europian. Që tani nis puna për një përgatitje më serioze dhe më të gjithanshme me qëllimin vajtjen në finalet e Kampionatit Europian. Në përgjithësi kemi treguar gjëra të mira, ndaj dhe jemi kryesuesit e grupit”.

Ndeshja e radhës do të jetë Shqipëri – Austri, e cila në ora 18:00 do të zhvillohet po në sallën olimpike “Feti Borova” e që do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›