Shqipëria, humbjet zmadhojnë problemet

Shqipëria i ka mbyllur me humbje kualifikueset e Kampionatit Europian të moshës deri në 19 vjeç në volejboll për të reja, të cilat u zhvilluan në sallën olimpike “Feti Borova”, Tiranë.
Pas Polonisë, edhe Austria ka fituar ndaj formacionit tonë, që drejtohet nga Ilir Thanasi, 3-0. 25-18 seti i parë me një fare rezistence të lojtareve tona. I dyti 25-12 dhe i treti 25-13 tregojnë gjendjen e vështirë ku ndodhet kombëtarja jonë e të rejave.
Kështu Shqipëria i ka mbyllur me humbje kualifikueset e Kampionatit Europian të moshës deri në 19 vjeç, ndërsa është në pritje të aktiviteteve të tjera ndërkombëtare.
Për trajnerin e Austrisë, Roland Shvab, ajo që mbetet peng është humbja me Poloninë, 0-3. “Do të duhet të kishim bërë shumë më mirë me Poloninë, ndërsa ajo është kryesuesja e grupit sot. Ndaj Shqipërisë kemi treguar vlera të mira. Mbetet shumë punë për të bërë për t’u përmirësuar në vazhdim për ndeshjet e ardhshme. Por mendoj që jemi në rrugë të mbarë, ndërsa duhet vlerësuar dhe i gjithë organizimi që keni bërë në këtë grup kualifikues të Kampionatit Europian”.