Vrasësi i nënës ende në kërkim
LIBRAZHD - Policia e Librazhdit dhe ajo e Elbasanit janë ende në kërkim të autorit që vrau me sëpatë nënën, si dhe plagosi rëndë vajzën e tij. Sipas banorëve, Haki Miska, babai i pesë fëmijëve kishte 15 vjet që terrorizonte fshatin Prevall të Komunës Lunik. Dyshohet se rreth 15 vjet më parë, ai ka vrarë edhe bashkëshorten e tij. Burime nga policia bënë të ditur se ky mendohet të ketë qenë edhe shkaku që 50-vjeçari goditi nënën e tij, Dije Miska, 70 vjeçe. Dyshohet se viktima e ka akuzuar djalin e saj për vrasjen e bashkëshortes. Vajza e tij, Besjana, e cila është munduar që të ndajë babanë, ka marrë plagë të rënda dhe ndodhet në spital. I kërkuari Haki Miska ka katër djem dhe vajzën, e cila u plagos me sëpatë. Sipas banorëve, Miska ka tentuar të vrasë dhe nipin e tij 6 vjeç. Ata i kërkojnë policisë arrestimin e tij pasi, sipas tyre, ai është i rrezikshëm. a.k