E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sevilla planifikon të përforcohet

Nga Express më 23 dhjetor 2010 në ora 09:20

Trajneri i Sevillas, Gregorio Manzano, e ka lënë të hapur mundësinë e përforcimit të skuadrës së tij në afatin kalimtar të janarit, por vetëm nëse gjen lojtar që ia vlen t’i transferojë. Manzano, 54 vjeç, e mori në dorë Sevillan në muajin shtator, pas shkarkimit të trajnerit Antonio Alvarez. Pas rezultateve të mira në fillim të sezonit me trajnerin e ri, Sevilla po has në vështirësi pasi i ka humbur gjashtë ndeshjet e fundit.

Pas lëndimit të lojtarëve kryesorë, Frederic Kanoute e Jesus Navas dhe disa të tjerëve, Manzano është vënë nën presion për të sjellë fytyra të reja në skuadër në afatin kalimtar të janarit. Ish trajneri i Mallorcas e i Atletico Madridit insiston se nuk do të përforcohet vetëm sa për sy e faqe.

“Kur jam pyetur për përforcime, kam thënë se nuk do të gënjej dhe nuk dua t’ju gënjej as juve”, u tha Manzano gazetarëve. Kishim takime, biseduam dhe unë pash lojtarë. Gjithmonë e kam thënë dhe po e përsëris: nëse qëllon ndonjë lojtar i cili mund t’i përshtatej ekipit, pastaj presidenti do të merrej me këtë punë dhe do të bënte gjithçka për ta transferuar. Për momentin nuk kemi ndonjë emër, t’ua them të vërtetën. Të shohim në janar”, deklaroi Manzano i cili paralajmëroi se përforcimet e mundshme do të ishin të repartit të mesfushës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›