Hepatitet, vera shton rreziqet nga dentisti
Stina e verës rrezikon të shtojë infeksionet virale për shkak të fluksit të madh të personave që hyjnë dhe dalin brenda vendit, pasi një nga rrugët e transmetimit të
sëmundjeve si Hepatiti apo HIV Aids është gjaku dhe rrjedhimisht, vizita tek dentisti është një rrezik që na kërcënon të gjithëve. Stomatologia Monika Spirollari thotë se pacientët më enigmatikë në periudhën e verës mbeten emigrantët, për shkak se nuk u njihet historiku
shëndetësor. Sipas saj, kjo mund të shmanget vetëm përmes një higjiene të rreptë të klinikave dentare, duke sterilizuar mjetet e punës për të mos lejuar kalimin e infeksionit nga një pacient tek tjetri. “Dihet që në verë kemi një rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë
shërbim dentar. Një nga këto kategori janë emigrantët, të cilët kthehen për pushime në atdhe dhe gjatë këtyre ditëve kryejnë dhe vizitat tek dentisti. Mundësia e transmetimit të infeksioneve nga një pacient tek tjetri mund të shmanget nëse sterilizohen mirë të gjithë veglat e punës, përdoren dorezat një përdorimëshe”, thotë stomatologia. Mjekja thotë se çdo klinikë duhet të kartelizojë pacientët që u ofron
shërbimin dentar. Por edukata shëndetësore mbetet ende e ulët, pasi jo të gjithë tregojnë sëmundjet nga të cilët janë të prekur. “Një pjesë e mirë e tyre nuk e dinë se kanë infeksion, një pjesë tjetër nuk e tregojnë, ndërsa shumë pak prej tyre pranojnë se janë të prekur nga ndonjë infeksion viral”, thotë Spirollari.
Rreth 8 për qind e popullatës në vendin tonë rezulton e prekur nga hepatitis B dhe C, shifër kjo mjaft e lartë në krahasim me vendet e rajonit. Mjekët hepatologë thonë se një rrugë e transmetimit të infeksioneve virale është gjaku. Mjekët thonë se shumë persona në Shqipëri mund të jenë mbartës të hepatiteve, por pjesa më e madhe e pacientëve e kapin atë në stade të vonshme rreth moshës 40 vjeç, kur janë në kulmin e aktivitetit fizik. Mjekët bëjnë apel për paraqitjen sa më shpesh te mjeku specialist për të
kryer analizat të cilat vërtetojnë nëse je mbartës ose jo i hepatiteve.
7 Qershor 2010