E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara për energjinë në Ballkan



Monitor

Rumania po shikon mundësitë për investime të reja në vende si Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi, kryesisht në prodhimin dhe po ashtu në dorëzimin e energjisë, ka pohuar ministri rumun i Energjisë, Adriean Videanu. "Ne kemi një strategji për të parë më tej në mundësitë rajonale për investime në vendet potencialisht të pasura me energji të Ballkanit. Rumania ka mundësinë të bëhet një lojtar kryesor energjie në rajon", u shpreh Videanu. Ai shtoi se investimet më të mundshme ishin në hidroenergji. Bukureshti është tashmë duke shqyrtuar një plan të diskutueshëm për të konsoliduar prodhuesit e energjisë në dy firma, “Electra” (central termik dhe qymyri) dhe “Hidroenergetica” (hidrocentral).
Ndërsa qeveria thotë se lëvizja e saj synon të ulë kostot e energjisë për konsumatorët dhe të rrisë konkurrueshmërinë me gjigantë rajonalë energjie, kritikët thonë se kjo do të kufizojë konkurrencën. Për më tepër, Rumania po planifikon të shesë disa aksione që shteti mban në kompanitë kryesore energjetike, përfshirë grupin e naftës “OMV Petrom” dhe kompanitë “Transgaz” dhe “Transelectrica”.

Interesi serb

Ministri serb i Energjisë, Petar Skundriç, tha se vendi i tij po merrte në konsideratë nëse do të pranonte ofertën e Bullgarisë për të marrë pjesë në ndërtimin e centralit bërthamor në Belene. Skundriç theksoi se pjesëmarrja në projekt do të fuqizonte bashkëpunimin rajonal në sektorin e energjisë dhe do të vendosë një marrëdhënie partneriteti midis Serbisë dhe Bullgarisë. "Ne nuk e kemi marrë ende vendimin, por jemi të interesuar", tha ministri. Centrali bërthamor prej 2,000 megavatesh, i vendosur në Belene në lumin Danub, fillimisht parashikohej të ndërtohej nga kompania ruse “Atomstroiexport” me një kosto prej 4 miliardë eurosh. Firma kishte nënshkruar një kontratë me qeverinë e mëparshme të kryesuar nga socialistët. Projekti u ndërpre kur qeveria socialiste u mund në zgjedhjet e korrikut dhe në pushtet erdhi qeveria e kryesuar nga konservatorët e GERB. Kryeministri i ri e refuzoi ofertën e bërë nga Moska për një kuotë në central dhe ka pasur spekulime të shumta se cili investitor do ta përfundojë ndërtimin.
Më parë gjatë këtij muaji, kryeministri bullgar Boyko Borisov, i bëri zyrtarisht një ofertë Serbisë, për të marrë pjesë në financimin e ndërtimit të centralit të Belene dhe tha se Serbia kishte shprehur interes për 5% të aksioneve në projekt.
Në rast se Serbia vendos të marrë pjesë në ndërtim, kjo nuk do të shkelte moratoriumin e vendit për ndërtimin e centraleve bërthamore në vend deri në vitin 2015, që u vendos pas shpërthimit të Çernobilit. “Do të ishte një referencë e mirë për ne dhe do të na mundësonte të respektonim embargon”, tha ministri serb.
Skundriç shtoi se është diskutuar një hua me palën kineze për të financuar rolin e Serbisë në këtë projekt. Gjithsesi nuk është arritur marrëveshje lidhur me çështjen.
Kina më parë kishte miratuar një hua prej 800 milionë eurosh për të rritur kapacitetin e TEC-it me qymyr prej 1,010 megavatesh në qytetin e Kostolac, me kontratën finale që pritet të nënshkruhet në korrik.

BE mbështet centralin bërthamor bullgar

Parlamenti Europian mbështet propozimin e Komisionit Europian për të zgjatur mbështetjen financiare për çmontimin e centralit bërthamor të Bullgarisë në Kozloduy deri në fund të vitit 2013, ndërsa ka bërë thirrje për kontroll më të rreptë financiar dhe më shumë investime në eficiencën e energjisë. 300 milionë euro nga fondet e BE-së do të jenë për pastrimin dhe trajtimin e sigurt të mbetjeve radioaktive, raporton “Sofia Echo reports”. Gjatë negociatave për të hyrë në Bashkimin Europian, Bullgaria ra dakord për mbylljen e parakohshme të njësive 1-4 të centralit bërthamor të Kozloduy dhe BE-ja ra dakord të japë asistencë financiare deri në vitin 2009 për çmontimin. Duke qenë se procesi nuk ka përfunduar ende, Komisioni Evropian hartoi një draft që mundëson vazhdimin e programit të paktën deri sa të mbarojë buxheti aktual shumëvjeçar i BE-së në vitin 2013.
Sipas deklaratës së Parlamentit Evropian, kërkohet një angazhim i qartë se, nga shuma e propozuar prej 300 milionë eurosh për programin e Kozloduy në tre vitet në vijim, 180 milionë euro duhet të shpenzohen në çmontim dhe 120 milionë euro në masa për kursimin e energjisë. Mbyllja e parakohshme e Kozloduy ka çuar tashmë në emetime domethënëse shtesë të gazrave serrë, ndaj edhe pse qëllimi kryesor i programit mbetet çmontimi, ai duhet gjithashtu të kontribuojë në modernizimin e prodhimit të energjisë, përfshirë energjinë e rinovueshme, industri dhe vende pune të qëndrueshme.
Programi do të monitorohet nga Komisioni Evropian dhe mund të auditohet, ose nga Komisioni, ose nga auditorë të jashtëm të kualifikuar, në çfarëdolloj kohe gjatë programit.

7 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›