E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si lexohen ndryshe sukseset

Drejtori i Galerisë Kombëtare bën analizën e vitit 2007. Ka një vit në këtë post dhe sot premton ndryshim statuti, strukture dhe rritje të kompetencave të bordit artistik
E kishte marrë tepër seriozisht prezantimin e punës së një viti, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve. Relacione shumëfaqëshe, pamje me videoprojektor, përfaqësues të bordit të Miqve dhe të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Të thirrur në mënyrë "urgjente" dhe pa ndonjë shpjegim shtesë, gazetarët, prisnin më shumë se një ekspoze të punës 1-vjeçare. Edhe ai që nuk ka qenë vigjilent për vitin 2007 të Galerisë, nuk do kishte ndonjë kuriozitet të ndiqte raportet e drunjta të drejtorisë.
Kishte nga ata që kish çuar ndër mend se kjo ftesë e drejtorit për median ishte për dorëheqjen e tij, duke marrë shkas nga situata e krijuar në galeri e cila faktikisht drejtohet nga dy struktura paralele. Por paskërka qenë një analizë vjetore. Drejtori Genc Mulliqi premton se me riparjen e statusit dhe rregullores së brendshme situata do të ndryshojë, madje do të sheshohen edhe konfliktet. "Në institucionet shtetërore, jo gjithçka "shkon vaj". Kemi një problem të trashëguar, ndaj dhe kemi këto konflikte. Me krijimin e statusit të ri, do të rishikohet struktura e galerisë", - thotë Mulliqi. Sipas tij struktura aktuale, e ngritur dy vjet më parë lë shumë për të dëshiruar dhe vihen re "shkelje arbitrare në vendosjen e punonjësve në pozicionet e tyre". Sa i përket marrëdhënieve me nëndrejtorin Rubens Shima, thotë se nuk ka probleme personale. "Gjatë punës ka edhe mosmarrëveshje, por ne përpiqemi të komunikojmë".
Ndihet fare mirë që komunikimi mes tyre në shumicën e rasteve ka përfunuduar me konferenca shtypi "individuale" dhe qëndrime kundër! Rasti më i freskët është "Onufri 2007", i kuruar nga Ervin Hatibi dhe Rubens Shima. Drejtori ishte kundër këtyre kuratorëve, madje edhe dje u shpreh se në dy vitet e fundit (kuruar nga Shima) ka pasur probleme organizative. Pranon se punët e paraqitura ishin cilësore, por për vitin tjetër do të gjendet një zgjidhje për caktimin e kuratorëve.
Së fundi mësohet që të ketë dalë raporti i kontroll-auditit në GKA që sipas drejtorit po studjohet nga specialistët. Thotë se janë hasur disa probleme, mes të cilave keqmenaxhim në "Onufrin 2006". Duket se drejtori ka rezerva në lidhje me raportin, i cili "fajësonte" njerëz "dytësorë" dhe jo ata që kanë bërë vërtet shkelje.
Mes konflikteve në "familje" është gjendur edhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të cilën e shohim herë në krah të njërës, herë në krah të palës tjetër.
Ende pa nisur të bëjë analizën e galerisë, drejtori lexoi misionin e institucionit, në të cilin thuhet se është "një institucion i pavarur dhe jofitimprurës…". Pikërisht në lidhje me pavarësinë drejtori thotë se GKA është një nga institucionet më të rëndësishme në varësi të MTKRS-së dhe ndihet ndikimi i saj, por "jemi të pavarur në koncept".
Për bordet artistike, për të cilat po flitet shumë së fundi, drejtori Mulliqi tha, duhet të jenë vendimmarrës, duke shpërndarë kompetencat e drejtorit, në mënyrë që jo gjithçka të mbetet në duart e tij. "Një muze arti ka një problematikë më të gjerë se lista vjetore e ekspozitave dhe linja e koleksionit. Nëse do t'i referohesha Marc Pachter, ish-drejtorit të Nacional Portret Gallery-Washington: "Puna e drejtuesit të një muzeu është 90% fundraising, marketing, menaxhim i burimeve njerëzore, financiare dhe materiale". Pikërisht për këtë arsye e konsideroj këtë këshill mëse të nevojshëm. Ne e shohim në të ardhmen KASH si vendimmarrës, në bashkëpunim me GKA-në", - thotë Mulliqi. Duhet thënë se Mulliqi është ndër të paktët drejtues që e shohin, jo vetëm domosdoshmëri këshillin (bordin) artistik, por që kërkon edhe rritjen e kompetencave të tij. Përgjithësisht, bordet shihen nga drejtorët si struktura të tepërta, burokrate, që më tepër pengojnë se sa ndihmojnë punën e institucioneve. Në morinë e konflikteve dhe problemeve që ka Galeria, ky pohim mund të shihet si një hap pozitiv.
Megjithë durimin e munguar të gazetarëve, të cilët sigurisht nuk prisnin të dëgjonin listën e aktiviteteve të kryera një vit më parë dhe që ata vetë i kanë ndjekur, Mulliqi kujtoi disa nga momentet më të rëndësishme në jetën e galerisë, si fillimi i punës për riparimin e infrastrukturës së godinës, ku përfshihet zëvendësimi i dritareve horizontale diellore, gjë që do të mundësojë rihapjen e sallave të katit të tretë, të dala jashtë funksionimit, dixhitalizimi i veprave të galerisë, etj. U përmenden si kulme aktivitetet "2(007) Pranverë", "Dialog", "Onufri", "Mitet", "World Press Photo", "Exchange", etj. Disa prej tyre do të vijojnë edhe gjatë këtij viti. Në piketat e hedhura për kalendarin 2008, figuron edhe Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë "Marubi", që sipas Mulliqit nuk u zhvillua dy vjet për mungesë fondesh, kur publikisht ky drejtues është shprehur se nuk ia ka parë nevojën bërjes së "Marubit" për arsye se mediumin e fotografisë "e kemi të pranishëm edhe në aktivitete të tjera".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›