E Diel, 1 Nëntor 2026

Heqja e 60 taksave dhe tarifave vendore, frymëmarrje për biznesin

11-10-2011 / Gazeta 55

Nesër në këshillin bashkiak të Tiranës


Heqja e 60 tarifave vendore, ngritja e Agjencisë për Mbrojtje e Konsumatorit dhe krijimi i një drejtorie të veçantë për projekte strategjike të Tiranës, janë tre projektvendimet që Këshilli Bashkiak i Tiranës do të diskutojë për miratim në mbledhjen e ditës së nesërme. “Janë disa çështje të rëndësishme që do të trajtohen në këtë mbledhje dhe për dy prej tyre do të relatojë Kryebashkiaku Lulzim Basha”, u shpreh kryetari i Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti, i cili detajoi risitë e projektvendimeve, ku ndër to spikat heqja e tarifave dhe rishikimi i taksave vendore. Qytetari nuk do të paguaj më për çdo shërbim. Tashmë Këshillit Bashkiak i është paraqitur për shqyrtim dhe miratim projektvendimi “Për disa ndryshime në vendimin nr. 3 të vitit 2007 “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, i cili shfuqizon dhjetëra tarifa administrative dhe shërbimi.  “Ky vendim është që nga zgjedhjet e 2007 dhe deri në 2011 nuk është bërë asnjë ndryshim apo të ketë pasur një seancë të veçantë të Këshllit Bashkiak, që të merrte përsipër vit për vit, sa herë të miratohej buxheti, rishikimin e taksave dhe tarifave. Kjo nuk ka ndodhur”, tha Kosovrasti. Ai shpjegoi se në projektvendimin do të reflektohen të gjitha premtimet e Kryebashkiakut Basha dhe disa ndryshime ligjore. Ky projektvendim parashikon shfuqizimin e disa tarifave administrative, ri-klasifikimin e disa tarifave shërbimi, pasqyrimin e ndryshimeve ligjore për taksën e tabelës dhe taksën e regjistrimit të automjeteve. Lehtësimi i qytetarëve nga tarifat vendore bazohet në Kodin e Procedurave Administrative, neni nr. 17 i cili njeh parimin e mospagimit të shërbimit. “Por Bashkia e Tiranës me vite ka vijuar me një parim antiligjor, parimin e pagimit të shërbimit”, pohoi Kosovrasti, duke cituar se ligji përcakton që: shërbimet e administratës publike janë pa pagesë, përveç rasteve në të cilat ligji parashikon pagesë për shërbimin e ofruar nga administrata. Edhe në rastet kur ajo kërkohet me ligj, kur provohet pamundësia e kërkuesit për ta paguar, ligji del në mbrojtje të qytetarit. Mbështetur në këtë nen pritet që me miratimin e projektvendimit, mjaft tarifa vendore do të hiqen. Janë 64 tarifa administrative, nga të cilat do të mbeten 7, ndërsa nga 17 tarifa shërbimi do mbeten 14. Pra gjithsej nga 81 do mbeten 21 tarifa administrative dhe shërbimi. Kosovrasti shpjegon se “për shërbimin arkivor në Bashki, qytetari deri dje paguante 100 lekë për dokumentacionin që merrte, kjo tarifë nuk do të ekzistojë më, siç nuk do të ketë më pagesa për marrjen e një çertifikate, licence, autorizimi, leje etj”. Në lidhje me tarifën e pastrimit dhe largimit të mbeturinave propozohet që niveli i tarifës për kategorinë e familjarëve te jetë 5000 lekë në vit, për biznesin e vogël niveli i kësaj tarife vjetore do të jetë sa 10 për qind e nivelit të taksës për këto biznese, tarifa për biznesin e madh luhatet nga 2500- 37 500 sipas kategorive, ndërsa biznesi VIP ka tarifa që shkojnë nga 19 000 - 47 000 lekë në vit. Projektvendimi parashikon edhe ndryshimin e nivelit të taksës vendore për vendosjen e tabelave nga subjektet. Tarifa për vendosjen e tabelave për qëllime identifikimi në shqip aktualisht është 1500 lekë dhe do të bëhet 120 lekë në vit. Ndërsa tabela e shprehur në gjuhë të huaj është 3000 lekë në vit, do të bëhet 120 lekë në vit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›