E Diel, 1 Nëntor 2026

Prioritet i politikave buxhetore, shumëfishimi i investimeve në zonat malore

11-10-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha inauguron ujësjellësin e Rrajcës, 400 milion lekë dhe rrugën Urakë-Golik 190 milion lekë, në rrethin e Librazhdit


Kryeministri Sali Berisha u ndal dje paradite, në qytetin e Librazhdit, ku mori pjesë ne inaugurimin e dy veprave të rëndësishme publike, atë të ujësjellësit të Rrajcës me vlerë 400 milion lekë dhe të rikonstruksionit të rrugës Urakë - Golik me vlerë 190 milion lekë, të cilat iu shtohen investimeve në komunën e Rrajcës që kapin vlerën e 6 milion eurove. Nga Ujësjellësi i ri do të përfitojnë mbi 20 mijë banorë të Përrenjasit, Rrajcës, Urakës, Kotodeshit e Katjelit, ndërsa rruga me gjatësi 8,6 km, gjerësi 5 metër dhe e rikonstruktuar sipas të gjitha standardeve moderne e bashkëkohore do të lehtësojë komunikimin e 22 mijë banorëve të zonës, pasi bashkon komunën e Rrajcës - fushën e Prrenjasit dhe komunën Propisht të rrethit Pogradec si dhe pershkon fshatrat Urake, Kotodesh, Katjel, Rodokal dhe Golik. Gjithashtu, rruga Urake – Golik lidh rrugën tradicionale Prenjas – Qaf Thanë me autostradën e ardhshme Qukës - Qaf Plloçë. Në përshëndetjen e tij para banorëve, kryeministri Sali Berisha tha se qeveria do vazhdojë investimet e saj si në përmirësimin e infrastrukturës rrugore ashtu edhe në modernizimin e qyteteve dhe komunave të vendit. “Dikur në këtë rrugë kalohej me vështirësi. Sot kjo është një rrugë e standardeve me te mira. Përrenjasi për vite të tëra ka vuajtur për ujë, ndërsa sot do të ketë furnizimin më të mirë me ujë edhe ne fshatra. Rruga ndikon në zhvillimin e aktiviteteve bujqësore dhe sektorin e shërbimeve duke lehtësuar transportin dhe lëvizjen ne drejtim te tregjeve lokale dhe rajonale, si dhe shërben për transportin e mineraleve në këtë zonë të pasur minerare. Shpreh kënaqësinë time që ndaj sot me ju kënaqësinë e inaugurimit të dy veprave të mëdha publike, të cilat kanë ndryshuar dhe ndryshojnë për mirë jetën e banorëve punëtorë të kësaj zone, ujësjellësi i cili do të furnizojë Përrenjasin dhe të gjitha fshatrat e kësaj zone me ujë të cilësisë më të lartë dhe ne sasinë më të madhe, ujë 24 orë të rrjedhshëm, investim prej më shumë se 400 milion lekë. Ne inaugurojmë këtu me ju së bashku rrugën Urakë - Golik, 8.6 kilometra të standardeve më të mira për rrugë rurale, e cila iu shërben mijëra e mijëra banorëve të kësaj zone, pasi bashkon komunën e Rrajcës me fushën e Përrenjasit dhe komunën Proptisht të Pogradecit, përshkon fshatrat Urake, Kotodesh, Katjel, Rodokal dhe Golik. Unë jam këtu për tu garantuar ju, të dashur banorë të kësaj zone, për të garantuar kryetarët e komunave dhe bashkive tuaja, këshillat tuaja, se qeveria ka përparësi madhore Librazhdin dhe se gjatë këtyre viteve ne kemi investuar dhe do të investojmë në dhjetëra e dhjetëra projekte tuaja, derisa të ndërtojmë në këtë rreth infrastrukturën më moderne, shkolla, rrugë, kanalizime, ujësjellës”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë tha se aktualisht qeveria po ndërton insfrastrukturën bashkëkohore në të gjithë rrethin e Librazhdit.  “Ne po ndërtojmë një infrastrukturë bashkëkohore në 4 anët e Librazhdit. Po ecim drejt perëndimit me rrugën Qukës – Qaf Plloçë, por po ecim drejt Lindjes dhe verilindjes në rrugën tjetër të rëndësishme të Stërblevës, e cila do të bashkohet me krahun tjetër me rrugën që zbret nga Ostreni dhe Peshkopia. Ne po ndërtojmë në të gjitha komunat e vendit akse rrugore me vendosmërinë që çdo komunë ta lidhim sa më shpejt me akset kombëtare. Ju jeni njerëz punëtorë, shumë punëtorë dhe në çdo skaj të këtij rrethi që kaloj ajo që më bën përshtypjen më të madhe është ajo se si ju keni punuar dhe punoni çdo pëllëmbë tokë që dispononi dhe për këtë keni një meritë të madhe. Ky është qëndrimi që duhet të mbajmë ne”, tha ai. Ashtu si dhe në vizitën e pak javëve më parë në Librazhd, në përurimin e fillimit të punimeve në rrugën e Hotolishtit, edhe nga Përrenjasi kryeministri Berisha bëri thirrje për kultivimin e drurëve frutorë kryesisht arra dhe lajthi. “Ne duhet të përpiqemi që në çdo kilometër katror të kësaj toke të sigurojmë të ardhura sa më shumë për të rritur mirëqenien dhe mëkëmbjen e familjeve tona, ndaj dhe unë sot kam një lutje, një kërkesë për të gjithë ju. Treva juaj, rrethi juaj ka potenciale të jashtëzakonshme në dru frutorë. Ju keni pasur këtu para vitit 90 plantacionet më të mëdha të arrave në Shqipëri. E tëra lugina e Shkumbinit dhe degët e saj kanë patur dru arrorë të cilësisë më të lartë. Ju bëj thirrje, le të rikthehemi ne të mbjellim çdo pëllëmbë të kësaj lugine me arra, lajthi dhe dru të tjerë frutorë. Ju bëj thirrje të zëvendësojmë çdo shkurre, kaçube kudo që ndodhet në dru frutorë. Para se të vij këtu, Selamiu më informoi se në Rrajcë fermerët kishin përzgjedhur një kodër për ta shndërruar në lajthishtë. Por doli në Tiranë një burokrat dhe ju tha se nuk mundet se ju duhet të mbillni vetëm në tokë bujqësore. Ai i tha një të pavërtetë të madhe Selamiut. Ju do të mbillni në çdo pëllëmbë toke kullotë dhe çfarëdo që të jetë. Natyrisht ne nuk prishim pyjet, por që të gjitha zonat me shkurre, kaçube, jeni të lirë t’i përdorni, të autorizuar t’i përdorni për të mbjelle arrorë dhe dru të tjerë frutorë. Ndaj dhe le të mendojmë ne se si të rrisim prodhimin. Ju shikoni se ne po ndryshojmë”-,deklaroi Berisha. Duke u ndalur në investimet e qeverisë dhe përkushtimin e saj në përmirësimin e jetës së qytetarit, Berisha tha se “po rindërtojmë shkollat, kemi shtrirë internetin në çdo shkollë dhe një nga këto shkolla është kjo këtu; në asnjë vend në Evropë nuk janë dyfishuar pensionet e fshatit”. “E kemi bërë këtë dhe do të vazhdojmë ti rrisim derisa në fshat të mos ketë pension nën 100 dollarë. Dhe të gjithë këto që bëjmë janë një pjesë jo shumë e madhe në krahasim me ato që meritoni, në krahasim me ato që ju vetë po bëni dhe duhet të bëni. ‘Shqipëria, vend i zhvilluar’, ky është projekti ëndërr për ne dhe fëmijët tanë. Shqipëria vend i zhvilluar behët kur secili prej jush, kur çdo shqiptar të mendojë se si të krijojë më shumë të ardhura për familjen e tij. Në këtë mënyrë, ne nuk tregohemi më me gisht si fukarenjtë e Evropës. Nuk ka më asnjë arsye që ne të tregohemi si fukarenj. Ne jemi njerëz punëtorë, jemi njerëz që duam familjen, ne jemi njerëz që kemi  një tokë të bekuar, një tokë pjellore, ne jemi njerëz që kemi një vend me potenciale të jashtëzakonshme turistike, me potenciale të mëdha minerale. Ne po zhvillojmë me shpejtësi infrastrukturën, pra nuk ka asgjë që do të na pengojë ne të bëhemi një vend i zhvilluar, me të ardhura të larta. Mos harroni se e filluam me 204 dollarë për frymë, me nivelin e tretë më të ulët në botë të ardhurave. Sot kemi arritur në 8 mijë dollarë për frymë, por objektivi i secilit prej nesh duhet të jetë, që në një kohë sa më të shkurtër të arrijmë në 16 mijë dollarë për frymë. Unë jua garantoj ju se rruga që kemi bërë ka qenë shumë herë më e vështirë se sa ajo që na mbetet për të bërë, për të arritur këtë objektiv, Shqipëria vend i zhvilluar, Shqipëria vend me të ardhura të nivelit të lartë”, tha më tej Berisha. Në komunën e Rajcës janë ndërtuar gjatë viteve të fundit, 15 km rruge, 3 ujësjellesa 2 shkolla dhe 1 qendër shëndetësore. Ndërsa në rrethin e Librazhdit janë ndërtuar 45 km në 23 rruge, 14 shkolla, 10 ujësjellësa e sisteme KUZ, 14 qendra shëndetësore e ambulanca dhe mbi 2 milion dollarë subvencione ne pemëtari, vreshta, ullinj sera. Duke përshëndetur banorët, kryeministri Berisha i vlerësoi këto dy vepra shumë të rëndësishme për lehtësimin dhe përmirësimin e jetesës së tyre. Me premtimin se qeveria do të trefishojë investimet në rrethin e Librazhdit, Kryeministri theksoi se do të mbështetet çdo projekt i paraqitur nga autoritetet lokale, i cili ju vjen në ndihmë banorëve, për ta  bërë më cilësore jetesën e tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›