E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e Barrikadave, pritet kthimi i Jahjagës dhe Thaçit

Barrikadat në veri të Kosovës do të mbesin aty të paktën deri sa në Kosovë të rikthehen dy liderët e vendit, presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi.
 

Sipas mediave kosovare EULEX-i dhe KFOR-i në konsultim me institucionet e Kosovës kanë vlerësuar se nuk do të bëhet asnjë përpjekje apo aksion për heqjen e barrikadave deri në kthimin e delegacionit të lartë kosovar i cili ndodhet në Nju Jork në kuadër të sesionit të OKB-së.
 

KFOR-i e EULEX-i nuk e shohin çështjen e heqjes së barrikadave vetëm si aksion të organeve të sigurisë. Në këtë mënyrë të dy këto mekanizma ndërkombëtar presin që përfaqësuesit politikë të Kosovës dhe të Serbisë të konsultohen me Brukselin për mënyrën se si do të mundësohet qarkullimi i qytetarëve në pjesën më problematike të Kosovës.

Strukturat paralele të Serbisë në veri të Kosovës kanë bllokuar rrugët në pjesën që dominohet nga qytetarët serbë të Kosovës nëpërmjet barrikadave të ndryshme përfshirë muret e betonit, si përgjigje ndaj veprimit të EULEX-it dhe KFOR-it të koordinuar me institucionet e Kosovës për vendosjen e doganierëve në pikëkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.
 

Zëdhënësi i KFOR-it, Ralph Adametz, ka thënë se misioni paqeruajtës i NATO-s nuk ka dhënë asnjë ultimatum për heqjen e barrikadave.

“Nuk kemi dhënë asnjë ultimatum. Ne jemi kundër barrikadave, por përderisa situata mbetet e qetë, mundësohet qarkullimi i KFOR-it dhe nuk rrezikohet jeta e njerëzve ne mund të vazhdojmë kështu”, ka thënë zëdhënësi i KFOR-it.

Ai e ka konfirmuar se misioni i NATO-s pret që të ketë konsultime politike për heqjen e barrikadave.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›