E Diel, 1 Nëntor 2026

“Tirana ndër kryeqytetet me të sigurta në Evropë”

 

Tirana është zgjedhur këtë vit si qyteti pritës i konferencës vjetore “Edukimi në Menaxhim në Realitetin e Tregjeve në Zhvillim”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, çeli këtë konferencë mbi planet dhe sfidat e së ardhmes. Pjesëmarrësit, rreth 100 nga 27 vende të botës, janë profesorë e studiues të nderuar nga katedra shumë të rëndësishme botërore (Britani e Madhe, SHBA) në fusha si ekonomi, menaxhim e studime bashkëkohore. Pas vendeve si Gjermania, Italia, Sllovenia, Hungaria, Rusia, Polonia, Turqia, përzgjedhja e qytetit të Tiranës është bërë duke e parë në fokusin e një metropoli në zhvillim. Qëllimi i konferencës që mblidhet çdo vit në vende të ndryshme të botës, është vendosja e standardeve dhe cilësisë në menaxhimin e arsimimit, në mënyrë që të formohen udhëheqës të ardhshëm bazuar në vlera si etika, diversiteti dhe kreativiteti. “Është e vështirë për mua të flas pas gjithë këtyre komplimenteve që ju më adresuat. Do ta nisja duke thënë se unë jam dikush, i cili po përpiqet të përdorë veten për vendin dhe njerëzit me të cilët jetoj. Unë kam vendosur të bëj betejën time këtu, në këtë vend”, u shpreh kryebashkiaku Rama. Ai nënvizoi se, eksperienca ka treguar se shumë herë njerëzit kanë stereotipe për Tiranën dhe Shqipërinë, stereotipe që nuk përshtaten me realitetin. “Sapo u ktheva nga Spanja dhe është kurioz fakti që Tirana është sot një kryeqytet më i sigurt se Madridi, në fakt unë do të thosha që Tirana është një ndër kryeqytetet më të sigurta në Evropë. Është një qytet në rritje për shkak të ndryshimeve demografike të ndodhura, pasi Shqipëria vendosi të jetë e lirë. Por sot, jam i lumtur të them se nëse fillimisht Tiranën e gjeta si ‘tokën e askujt’, tashmë Tirana është si çdo kryeqytet tjetër i Evropës”, tha Rama në fjalën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›