“Heqja e TVSH-së, fuqizon prodhuesit e mëdhenj dhe dobëson fermerët”

Programi i Edi Ramës, reagon PD
Partia Demokratike kundërshton programin e Partisë Socialiste, i cili në thelb sheh rikthimin e tatimit progresiv si dhe heqjen apo reduktimin e TVSH-së për disa produkte bazë. Sipas Selami Xhepës, anëtar i komisionit parlamentar të ekonomisë, kjo nismë do favorizonte vetëm prodhuesit e mëdhenj duke mos dhënë efekt te çmimet për konsumatorët. “Zbatimi i tatimit progresiv hedh poshtë taksën e sheshtë, që ishte një revolucion i qeverisë në fushën e politikave fiskale. Taksa e sheshtë ka pasur shumë sukses dhe i ka sjellë të ardhura buxhetit të shtetit. Unë jam kundër tatimit progresiv. Por po ashtu, programi i PS thotë që të hiqet apo ulet TVSH-ja për disa produkte bazë ushqimore, i cili është një hap i gabuar dhe që dëmton rëndë prodhuesit vendas, kryesisht fermerët. Heqja e TVSH nuk çon detyrimisht në uljen e çmimeve, por përkundrazi nxit evazionin fiskal. Nuk mund të pranohet heqja e TVSH-së sepse asnjë nga bizneset nuk do të ulte çmimet. Nuk mund ta bëjmë sepse në mënyrë absolute asnjë nga biznesmenët nuk e ul çmimin, perkundrazi çmimi mbetet aty ku është. Prodhimet zvogëlohen, të ardhurat e fermerëve zvogëlohen, ndërsa rriten të ardhurat e prodhuesve të mëdhenj”, u shpreh anëtari demokrat i komisionit parlamentar të ekonomisë. Më tej, ai e quajti të pazbatueshëm në praktikë programin e propozuar nga Rama, pasi në tërësi nuk synon interesin e qytetarëve dhe as të vendit në tërësi. Sipas tij, Shqipëria është një vend që njihet për taksën e sheshtë prej 10 për qind dhe si e tillë, kjo i jep mundësi investitorëve të rrisin investimet dhe si pasojë rritet punësimi. Edi Rama prezantoi gjatë Kongresit të Partisë Socialiste javën e kaluar, programin e ri politiko-ekonomik të opozitës, ku theks i veçantë i kushtohet ndryshimit të ligjit për “Taksat”. Por, as brenda opozitës nuk ndahet i njëjti mendim, përsa i takon uljes së TVSH-së. Spartak Ngjela, kryetar i partisë Ligj dhe Drejtësi, pjesë e opozitës së bashkuar thotë se ulja e taksave jo gjithmonë të çon në ulje çmimi. “Unë e pashë programin dhe doja të thosha se jo gjithmonë ulja e taksave apo heqja e tyre, sjell ulje të çmimeve dhe ndikon në jetën e qytetarëve”, ka pohuar ai. Ekspertet mendojnë se Shqipëria renditet ndër vendet që e kanë vlerën e TVSH-së në nivel mesatar krahasuar me shtetet e tjera në rajon. Ndërkaq, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratën e tij të fundit, kërkoi rritje taksash ne mënyrë që të mbahet nën kontroll borxhi publik dhe deficit buxhetor
...