Heqja e barrikadave, Galluçi: KFOR-i sulmoi paqen dhe sigurinë

Ish-administratori rajonal i UNMIK-ut në Mitrovicë, Xherad Galluçi, ka thënë se aksioni i javës së kaluar në Rudarë të Zveçanit paraqet sulm ndaj paqes dhe sigurisë, si dhe është në kundërshtim me rolin e forcës paqeruajtëse.
“Barrikadat nuk dëmtojnë askënd, ndërsa banorëve lokalë u japin ndjenjën e sigurisë në mesin e provokimeve të vazhdueshme të Qeverisë në Prishtinë”, ka thënë Galluçi, raportojnë mediat serbe.
Të premten e kaluar, misioni paqeruajtës i NATO-s ka ndërmarrë aksion për heqjen e barrikadës në fshatin Rudarë, ku edhe ka hasur në rezistencën e serbëve lokalë.
Gjatë përleshjeve janë plagosur dy ushtarë të KFOR-it dhe të paktën tre serbë. Galluçi ka thënë se përgjegjës për konfliktin dhe të plagosurit është KFOR-i.
Në vitin 2008, kur ishte administrator rajonal në Mitrovicë, Galluçi ka kritikuar edhe intervenimin e UNMIK-ut dhe të KFOR-it për të liruar objektin e gjykatës së uzurpuar nga serbët në veri. Qëndrimi i tij kishte shkaktuar pakënaqësi te liderët kosovarë.