E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e barrikadave, KFOR-i po pret dimrin

Trupat e NATO-s në Kosovë nuk e kanë ndërmend që të nguten për heqjen e barrikadave nga rrugët në veri të vendit. Misioni i KFOR-it tashmë ka planin se si do ti largojë barrikadat.

Stina e dimrit, kur pritet që edhe të ftohet koha dhe të bien temperaturat, shihet si opsioni më i mirë kur KFOR-i do të mund ti largojë sa më lehtë barrikadat dhe pa shkaktuar ndonjë viktimë të mundshme.

Kështu ka bërë të ditur një zyrtar i lartë ndërkombëtar që merret me çështje të sigurisë në Kosovë, në kushte anonimiteti, i cili ka sqaruar për gazetën se KFOR-i do të sigurojë lirinë e lëvizjes për të gjithë pavarësisht sa kohë merr arritja e këtij objektivi.

KFOR-i ka fuqinë për shkatërrimin e barrikadave, por nuk e ka ndërmend ti largojë ato me forcë pasi që ata kanë plane të tjera, të cilat janë të bindur se do ti realizojnë me sukses, ka thënë ky zyrtar, cituar nga Zeri.

Njëra nga taktikat e këtij misioni ushtarak, sipas këtij zyrtari, është që të pritet kalimi i kohës gjatë së cilës serbët që aktualisht po qëndrojnë pranë barrikadave, të lodhen nga kjo situatë.

Nëse duam ti largojmë barrikadat, KFOR-i ka të gjitha kapacitetet për të bërë një gjë të tillë, por aktualisht po presim që qytetarët e rëndomtë të veriut të lodhen tej mase prej udhëheqësve të grupeve që po i vendosin barrikadat dhe po i detyrojnë të rrinë aty, ka sqaruar ky zyrtar ndërkombëtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›