Heqja e barrikadave nuk është më kryesorja për KFOR-in

Zëdhënësi i KFOR-it Uve Novicki ka deklaruar sot se forcat ndërkombëtare në Kosovë do të vazhdojnë heqjen e barrikadave, por shtoi se ato nuk janë “çështja kryesore dhe më e rëndësishme” e zgjidhjes së situatë në veri të Kosovës.
“Heqja e barrikadave bën pjesë në kontekstin e situatës së përgjithshme në veri të Kosovës, por ato nuk janë më kryesoret dhe më të rëndësishmet. Çështja kryesore është të arrihet situata në të cilën të gjitha palët do të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe ato të shikojnë drejt së ardhmes “, ka thënë Novicki për Tanjug.
Sipas tij KFOR-i edhe në ardhmen do të detyrohet të heqë barrikadat, sepse sigurimi i lëvizjes së lirë është njëra nga detyrat e tij në Kosovë. Novicki ka thënë se KFOR-i lejon protesta por nuk do të lejojë dhunë kundër pjesëtarëve të tij.