Shitja e apartamenteve, çmimet dhe formula e llogaritjes së taksës
Eljona Ballhysa
Për çdo shitblerje apartamentesh duhet t’i paguhet shtetit një taksë, e cila kushton 10% e fitimit të realizuar nga shitja. Kjo është parashikuar nga Ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë në një udhëzim të përbashkët ku parashikohet mënyra e llogaritjes së taksës që duhet t’i paguajnë shtetit individët që blejnë pasuri të paluajtshme. Në këtë udhëzim jepen dhe çmimet minimale të shitjes së apartamenteve apo dyqaneve në Tiranë dhe në të gjitha qytetet e vendit, si dhe llogaritja e koeficientit të tatimit të shitjes së një objekti. Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë dhe ndërtese, tatohet me 10 për qind të fitimit të realizuar nga shitja. Ky rregull nuk zbatohet në rastet e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën, me të drejtën e pronësisë mbi ndërtesën e ndërtuar mbi tokë. Individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme e paguan tatimin para kryerjes së regjistrimit të kësaj pasurie, përndryshe objekti nuk regjistrohet pa provuar pagimin e tatimit pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Përllogaritja
Në udhëzim bëhet e ditur se në rastet kur individi kalon pronësinë, për herë të dytë e në vazhdim, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital të realizuar do të merret diferenca midis vlerës së shitjes dhe vlerës së blerjes, e përcaktuar në kontratën paraardhëse. Për shembull, në rast se një shoqëri ndërtimi i ka shitur individit “A” një apartament me vlerën 5 000 000 lekë, ky individ e shet këtë apartament pas disa vitesh te një individ tjetër “B” për 6 000 000 lekë. Individi “A” do të tatohet me 10% të diferencës midis vlerës së shitjes 6 000 000 lekë dhe vlerës së blerjes 5 000 000 lekë. Pra 10% x (6 000 000-5 000 000) = 100 000 lekë, do të jetë tatimi mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë, i cili paguhet nga individi A.
Koha e ndërtimit
Udhëzimi i Ministrisë së Financave ka parashikuar dhe vlerat minimale të shitjes së një objekti. Udhëzimi ka parashikuar se vlerat e shitblerjes së një objekti ndryshojnë në varësi të periudhës kohore në të cilën janë ndërtuar këto objekte. Në udhëzim përcaktohet se ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara nga 1 janari 1996, deri më 31 dhjetor 2002, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e të drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje, do të merret kostoja mesatare për m2 të sipërfaqes së shfrytëzueshme, e përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave me vendim qeverie të datës 16.10.2002. Ndërsa ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara pas 1 janarit 2003, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e të drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje do të merret kostoja minimale fiskale e përcaktuar në Marrëveshjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 173, datë 29.03.2006 “Për miratimin e kostos minimale fiskale në ndërtim dhe për mënyrën e përcaktimit të çmimit të shitjes së banesave”. Në rastin e shitjes së një ndërtese të përfituar nga këmbimi i truallit, në bazë të një kontrate këmbimi, si çmim i blerjes do të konsiderohet një nga çmimet e tabelës. Vlerat e shitjes së ndërtesës dhe e truallit nuk duhet të jenë më të vogla se çmimet minimale përkatëse të përcaktuara në këtë udhëzim.
Të dhëna
1- Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi për dyqane mallrash apo shërbimesh është 2 herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit sipas zonave.
2- Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi për garazh të mbuluar është 70 për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas zonave.
3- Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi zyra është i njëjtë me çmimin e sip. të apartamenteve.
4- Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi për parkim i hapur është 30 për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas zonave.
5- Për ndërtesat e privatizuara me Ligjin Nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”, i ndryshuar, çmimi për m2 është 70 për qind e çmimit sipas zonave të tabelës.
6. Për ndërtimet në komunat e tjera të Tiranës, çmimi minimal llogaritet 36,600 lekë/m2.
Kostot minimale fiskale për blerjen e apartamenteve
Tiranë 30 000 lekë
Vlorë 24 840
Korçë 22 680
Fier 23 820
Durrës 24 840
Elbasan 21 660
Gjirokastër 24 540
Gramsh 23 160
Kavajë 23 040
Sarandë 26 850
Shkodër 28 350
Lushnjë 24 750
Mirditë 25 200
Berat 24 840
Dibër 22 830
Krujë 24 930
Kuçovë 26 190
Kukës 25 110
Kurbin 24 930
Lezhë 22 440
Librazhd 21 660
Mat 24 900
Peqin 21 720
Përmet 23 580
Pogradec 26 130
Pukë 34 590
Skrapar 20 100
Tepelenë 24 750
Tropojë 35 970
Apartamenti nuk hipotekohet pa paguar taksën
Nuk mund të ketë hipotekim të pronës nëse nuk ke paguar taksën e truallit. Kalimi i të drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë dhe ndërtesë, tatohet me 10 për qind të fitimeve kapitale të realizuara. Pasuria e paluajtshme nuk regjistrohet pa provuar pagimin e detyrimit pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ndërkohë që “fitimi kapital i realizuar” nënkupton diferencën ndërmjet vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të pasurisë, ndërtesë apo tokë. Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme përcaktohet në kontratën e noterizuar të shitjes, e cila është firmosur nga palët (shitësi dhe blerësi). Kontrata duhet të shprehë sipërfaqen në metër katror të pasurisë, çmimin për metër katror dhe vlerën e saj. Kontrata duhet të jetë e shoqëruar me hartën, planimetrinë dhe dokumentet e tjera që shërbejnë për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme. Në rastet kur individi kalon pronësinë, për herë të dytë e në vazhdim, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital të realizuar do të merret diferenca midis vlerës së shitjes dhe vlerës së blerjes e përcaktuar në kontratën paraardhëse.
31 Gusht 2009