E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e imunitetit, Berisha akuzon, Rama përgjigjet

“Duhet miratuar ligji që gjyqtarët të mos kenë imunitet, ligji i Shqipërisë pa imunitetet, ligji që barazon kryeministrin me gjykatësin e qytetarin, ligji që i shton barazi dhe civilitet qeverisë. Unë e ftoj nga kjo mbledhje zotin Rama të votojë heqjen e imunitetit”, tha ai.

Kryeministri i bëri thirrje Ramës të mos dëgjojë më këshillin e miliarderëve të partisë, por zërin e socialistëve të thjeshtë, të mos dëgjojë më nënkryetarin në hije të Partisë Socialiste që mbron pasuritë e tij nën hijen e imunitetit, të bëjë zgjidhjen midis imunitetit të Tom Doshit dhe interesave të ngushta të socialistit që e voton për 20 vite me radhë. “Mos të dalë nga tribuna në tribunë të vajtojë për varfërinë, atë e nxit korrupsioni, nuk them se e ka për veten, se ai s’ka imunitet, por nuk e lë këshilli i miliarderëve, ata janë vendimmarrësit më kryesorë në partinë e tij”, shtoi kryeministri.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të Partisë Socialiste, i cili në rrjetin social “Twitter” ka shkruar se“Kryeministri përgojon ligësisht deputetët e PS-së! Këshilli i Miliarderëve në PS nuk do heqjen e imunitetit, vijon KM! Ligësi e gjallë, PS ka votuar çdo heqje imuniteti unanimisht, edhe për veten.”

Në përgjigje të deklaratës së shefit të ekzekutivit, Rama e konsideron atë gënjeshter duke u shprehur se “Tom Doshi është pa imunitet, me votën e tij e tonën!”

Pagat dhe pensionet do të rriten sërish!

Kryeministri tha sot gjithashtu se qeveria është e vendosur të rrisë sërish rrogat dhe pensionet në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë.

“Shqipëria është ndër të paktat vende të kontinentit që rrit ndjeshëm rrogat e qytetarëve të saj. Ky vendim është një shpërblim i merituar për 100 vjetorin e pavarësisë, për familjet shqiptare. Rritja e pagave dhe pensioneve tejkalon me 3 deri ne 5 herë inflacionin e këtij viti”, komentoi kryeministri.

“Ekonomia e vogël e jona i rezistoi krizës, dyfishuam eksportet, morëm 360% investime të huaja më shumë se më parë, kemi rritur të ardhurat. Borxhi i jashtëm nuk është rritur që nga 2008”, tha ai./Start/

                                                                                             2012-07-04 12:11
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›