E Diel, 1 Nëntor 2026

Heqja e imunitetit, Meta: Të përmbushim reformat e tjera

Ai tha se LSI-ja do t’i përmbahet marrëveshjes deri në fund, teksa u bëri thirrje partive politike që të angazhohen për përmbushjen e reformave të mbetura në kuadër të integrimit.

“Qëndrimet tona në raport me koalicionin kanë qenë tepër konstruktive. Ne i jemi përmbajtur me përpikëri të gjithë marrëveshjes kuadër PD-LSI. Natyrisht që për çështje të caktuara ne kemi pasur qëndrimet tona që kanë të bëjnë me vetë identitetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim apo me bindjet tona për zgjidhjet që mund të ofroheshin apo të ofrohen. Unë mendoj se koalicioni ka funksionuar në mënyrë të qëndrueshme. Edhe brenda një partie ka mendime të ndryshme dhe nuk ka pse të mos ketë mendime të tilla edhe midis partnerëve në një koalicion. Në këtë drejtim për mua mbetet e rëndësishme që të gjithë t’i fokusojmë dhe t’i përqendrojmë energjitë në këto ditë dhe në këto javë për të vijuar me reformat e kërkuara me forcë nga partnerët tanë si një mundësi për të shtuar në maksimum shanset për një vlerësim pozitiv të vendit për statusin kandidat”, tha kreu i LSI-së.

Meta përshëndeti heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë, deputetët dhe gjyqtarët. “Megjithatë votimi i djeshëm dhe konsensusi i djeshëm, i cili ishte hapi i kërkuar dhe i mirëpritur si nga qytetarët tanë ashtu edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, nuk duhet të mbetet i pashoqëruar në ditët dhe në javët e ardhshme edhe me disa hapa të tjerë imediatë sikurse është mbyllja e reformës për procedurat parlamentare, ligji për Gjykatën e Lartë dhe iniciativa të tjera të cilat tregojnë qartë se ekziston vullneti për të vijuar me këto reforma dhe për të plotësuar më së miri jo vetëm të gjitha kërkesat e 12 prioriteteve por edhe të gjithë angazhimet e tjera që derivojnë prej tyre dhe prej gjithë procesit të integrimit evropian të vendit. Theksojmë rëndësinë e kohës dhe rëndësinë e ecurisë sepse kjo do të ndihmonte maksimizimin e shanseve dhe mundësive për një vlerësim sa më pozitiv të vendit në javët dhe muajt e ardhshëm, brenda këtij viti,  për konsiderimin e statusit të vendit kandidat”, shtoi ai.  /Start/

                                                                                             2012-09-19 14:50
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›