E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i Lotarisë Kombëtare, Edi Rama i shkruan kancelarit austriak (LETRA)

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka shkruar një letër kancelarit austriak, Werner Faymann, për ti shprehur shqetësimin në lidhje me skandalin e Lotarisë Kombëtare, fituar nga një kompani austriake, Austrian Lotteries.

Në letër thuhet se shpallja e saj fituese ka qenë e paracaktuar.

Pasi rreshton disa nga shkeljet më të rënda të këtij tenderi, Rama thotë se shqiptarët do përfitojnë shumë pak nga kjo lotari.

Në letër thuhet se socialistët do të ndërmarrin çdo hap për të hetuar këtë proces.

Rama i kërkon kancelarit mirëkuptimin e tij, duke besuar se edhe ai do kishte vepruar kështu, në interes të popullit të tij.

Rama e ka informuar kancelarin austriak se ka ndërmend ti bëjë thirrje kompanisë që të tërhiqet nga procesi.

LETRA

Shkëlqesia Juaj,

Së pari më lejoni të shpreh që në fillim të kësaj letre, vlerësimin dhe konsideratat e mia për bashkëpunimin që Shqipëria ka patur ndër vite me Qeverinë e Austrisë. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen që kemi patur gjithmonë nga Austria, duke filluar që nga Deklarata jonë e Pavarësisë 100 vjet më parë dhe duke vazhduar edhe në të tashmen me asistencën dhe mbështetjen që Shqipëria merr nga entet publike e private Austriake.

Në cilësinë time si lider i Partisë Socialiste Shqiptare dhe i Opozitës, unë dëshiroj ti shpreh Shkëlqesisë Suaj vendosmërinë time dhe atë të partisë sime për të zhvilluar një mjedis transparent dhe miqësor ndaj biznesit në Shqipëri për të gjithë investitorët Austriakë, sepse ne i vlerësojmë kontributin që këto iniciativa kanë dhënë për zhvillimin e vendit tonë.

Megjithatë, duke patur parasysh mbrojtjen e interesit publik si prioritetin tonë më të lartë, unë do të dëshiroja të sillja në vëmendjen Tuaj se, në disa raste të ndryshme, muajt e fundit, unë kam denoncuar publikisht procesin që është ndjekur nga Qeveria aktuale Shqiptare, për të dhënë një Licencë të Llotarisë Kombëtare, si një proces qartazi të manipuluar kundër interesit publik. Arsyeja pse unë e sjell këtë fakt në vëmendjen Tuaj është sepse fituesi i paravendosur i tenderit për këtë licencë është një kompani Austriake, e quajtur Austrian Lotteries.

Unë jam i ndërgjegjshëm se ndër vite, Austrian Lotteries ka qenë e aftë të gjenerojë një vlerë domethënëse për Shtetin Austriak si edhe për publikun Austriak duke vepruar në një mënyrë të drejtë në këtë sektor, ku integriteti i operatorit është i një rëndësie thelbësore. Megjithatë, unë jam i mendimit se sjellja e tyre në rastin e tenderit Shqiptar nuk ka qenë e të njëjtave standarde dhe se ata nuk kanë arritur të aplikojnë të njëjtat kritere që respektojnë dhe përmbushin në vendin Tuaj.

Termat e tenderit shqiptar, i cili është denoncuar qysh prej fillimit të tij nga media si edhe nga kompani të tjera pjesëmarrëse, si i trukuar në favor të Austrian Lotteries, nuk përfshinin një sërë rregullash që i drejtojnë zakonisht këto procese dhe garantojnë një proces të drejtë ofertash, përfitime të konsiderueshme fiskale për shtetin, trajtim të drejtë të publikut apo kontribute të rëndësishme për grupet e margjinalizuara sociale. Lotaritë Kombëtare janë në fakt një mjet unik për krijimin e të ardhurave fiskale, përfitime për publikun dhe gjithashtu një kontribut të rëndësishëm për kauzat sociale, kudo në Europë. Është një turp që qeveria jonë aktuale ka zgjedhur ti injorojë këto konsiderata.

Si rrjedhojë e kësaj partia ime dhe unë, synojmë që të ndërmarrim çfarëdo veprimi të mundur ligjor për të hetuar të gjithë procesin, trukimin e pretenduar dhe për të riparuar dëmin që i është shkaktuar publikut Shqiptar përmes këtij akti të rëndë papërgjegjshmërie.

Unë shpresoj të kem mirëkuptimin tuaj për qasjen tonë, pasi besoj se edhe ju do të kishit vepruar në të njëjtën mënyrë në një rast ku interesi i publikut Austriak do të ishte kompromentuar apo abuzuar nëpërmjet një akti korruptiv.

Unë dëshiroj t Ju informoj gjithashtu Juve mbi qëllimin tonë për ti bërë thirrje Austrian Lotteries që të tërhiqet nga ky proces, i cili nuk është transparent, që shkon kundër interesave të Shtetit Shqiptar dhe publikut Shqiptar, si edhe të gjitha rregullave e standardeve nën të cilat e njëjta kompani vepron në Austri. Duke u përfshirë në një proces të tillë ata janë duke i tradhtuar po ato parime të paanshmërisë, përgjegjshmërisë sociale dhe transparencës që ne do të prisnim të shikonim nga një kompani e këtij standardi.

Unë do të doja t Ju falënderoja paraprakisht për kohën që Ju i keni dedikuar shqetësimit tim dhe për mirëkuptimin tuaj në lidhje me këtë çështje tepër serioze që unë dëshiroja të ndaja me ju nëpërmjet kësaj letre.

Unë shpresoj se ne mund të bashkëpunojmë në lidhje me këtë çështje dhe të shkëmbejmë pikëpamjet mbi çështje të tjera të interesit të përbashkët për të dy vendet tona.

Më lejoni gjithashtu të shpreh urimet e mia më të mira për Vendin Tuaj, Qeverinë Tuaj, si dhe për Ju personalisht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›