E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Jordania, bashkëpunim në fushën e turizmit dhe ndërtimtarisë

31-07-2012 / Gazeta 55

Berisha takon kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Jordanisë, z. Abdulkarim Al Doghmi
 
Kryeministri Berisha takoi sot Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Jordanisë, z. Abdulkarim Al Doghmi dhe delegacionin që e shoqëronte atë. 
Pasi u uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë vizitë si një kontribut tejet të rëndësishëm në konsolidimin e miqësisë mes dy vendeve dhe popujve dhe në zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët për të dy vendet. Zoti Abdulkarim Al-Doghmi, pasi e falënderoi Kryeministrin për pritjen, i përcolli atij përshëndetjet më të ngrohta e miqësore të Mbretit të Jordanisë Abdulla II.
Në takim i ripohua vendosmëria e të dy vendeve për të zgjeruar hapësirat e bashkëpunimit në fusha si ajo e kulturës, arsimit, turizmit, ndërtimit të infrastrukturave të rëndësishme, në fushën ekonomike, në fushën e mbrojtjes. Gjithashtu, të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim për nxitjen e bashkëpunimit në tërheqjen e investitorëve reciprokë, për të shfrytëzuar potencialet e jashtëzakonshme që ofrojnë ekonomitë e të dy vendeve për biznesin dhe investimet dhe shprehën gatishmërinë e të dy vendeve për të kompletuar kuadrin ligjor për zbatimin e projekteve të rëndësishme, konkrete, në këtë drejtim. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Jordanisë, z.Abdulkarim Al-Doghmi dhe deputetët e parlamentit jordanez e uruan Kryeministrin Berisha për 100 vjetorin e pavarësisë, si ngjarje jubilare, jashtëzakonisht e rëndësishme për shtetin shqiptar e mbarë kombin. Kryeministri Berisha falënderoi Jordaninë mike për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe kombit shqiptar gjatë gjithë kësaj periudhe, në veçanti, mbështetjen që Jordania i ka dhënë shtetit më të ri të Evropës, Republikës së Kosovës. Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i përcjellë Mbretit Abdullah II dëshirën dhe ftesën e tij për të vizituar Shqipërinë, në një kohë të përshtatshme për të. Pas takimit, për nder të  delegacionit jordanez, Kryeministri Berisha shtroi një drekë, e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›