E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e imunitetit, nis dialogu mes PD dhe PS

19/10/2011  PD: Dakord për heqjen e imuniteteve, por pa ndryshuar Kushtetutën

PS: Heqja e imunitetit të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese

Reformat e kryera ose reformat e propozuara, të cilat nuk bazohen në ndryshimin e Kushtetutës, nuk mund të kufizojnë në mënyrë të efektshme imunitetin e deputetëve në Shqipëri. Ky është mendimi i shprehur dje nga ekspertët kushtetues të “Projektit kundër Korrupsionit në Shqipëri” (PACA) dhe projektit “Konsolidimi i Sistemit Shqiptar të Drejtësisë” (EURALIUS), të mbështetur nga Bashkimi Evropian. Në përgjigje të propozimeve të ekspertëve evropianë, të cilat përkojnë dhe me kërkesat e bëra nga Partia Socialiste për ndryshimin e Kushtetutës, Partia Demokratike theksoi se qëndrimi i saj konstant ka qenë dhe është pro heqjes së imunitetit, por pa ndërhyrë në ndryshimin e Kushtetutës.

Qëndrimet e PD dhe PS

Kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ilir Rusmaili, në fjalën e tij shprehu qëndrimin e mazhorancës në lidhje me propozimet e bëra nga ekspertët e BE-së për ndryshimet në Kushtetutë mbi imunitetet. “Ne kemi pasur një qëndrim parimor, nuk ka nevojë për imunitete parlamentarësh, sikurse nuk ka nevojë për imunitete ofiqarësh të lartë. Ajo që ne paralajmërojmë me forcë është kurthi permanent që kundërshtarët e heqjes së imuniteteve (PS-ja ka qenë kundër ndryshimeve kushtetuese mbi imunitetet kur ishte në mazhorancë) vendosin gjithmonë, sa herë diskutohet. Pra, kundërshtarët e heqjes së imuniteteve janë gjithmonë dakord që kjo të bëhet me ndryshime kushtetuese, por nuk japin kurrë votën për ndryshimet kushtetuese”, - u shpreh Rusmaili. Ndërsa për deputetin e PS-së, Fatmir Xhafaj, u shpreh se e vetmja rrugë e kufizimit të mandateve duhet bërë përmes ndryshimeve në Kushtetutë. “Opozita ka mbajtur gjatë gjithë këtij debati një qëndrim konstant. Ka vetëm një rrugë për kufizimin/heqjen e imunitetit: përmes ndryshimit kushtetues. E vlerësojmë këtë kontribut thelbësor të projektit dhe e konsiderojmë atë një bazë të shëndoshë për vazhdimin e mëtejshëm të procesit, duke e futur atë në rrugën e përshtatshme kushtetuese e ligjore”, - u shpreh Xhafaj.

Ambasadori i BE-së

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, në konferencën e djeshme për reformim të imunitetit deklaroi se imuniteti do të thotë që zyrtarët të kenë lirinë e tyre, por edhe të japin llogari. Sequi apeloi se ky proces kërkon bashkëpunim politik. “Imuniteti do të thotë se zyrtarë dhe gjyqtarë mbajnë dhe liritë e tyre për të funksionuar të pavarur, por edhe të japin llogari kur ka shkelje. Të luftohet korrupsioni të në gjitha nivelet. Dua të theksoj se kjo është punë thelbësore, që ka nevojë për të gjitha forcat politike. Sidomos në fushat e studimit të ligjit dhe në një kontekst të tillë duhet konsultim. Kam besim se diskutimet e sotme do e çojnë përpara procesin e reformave”, - u shpreh ambasadori. Sipas tij, reformimi i gjyqësorit duhet të bëhet përpara anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Shqipëria ka nevojë që të ketë një ecuri bindëse për të përmbushur kërkesat për anëtarësim dhe të tregojë që vendi ka institucione që mund të mbrojë të drejtat themelore të njeriut”, - nënvizoi Sequi.

Konferenca e PACA-s

Topi: Mos ulni nivelin e debatit për reformat në BE

Në tryezën e djeshme për reformimin e imunitetit të organizuar nga ERALIUS, kreu i shtetit, Bamir Topi, theksoi se reformimi i imunitetit është një proces që duhet parë si sfidë nga të gjitha partitë parlamentare, pasi kërkohet vullnet i përbashkët për ta realizuar. “Gjithë ky proces duhet parë si një sfidë e përbashkët e të gjitha partive parlamentare dhe kërkohet një vullnet i përbashkët për ta realizuar. Duhet gjuha e përbashkët për të evituar që mosmarrëveshjet politike të ngadalësojnë apo pengojnë reformimin e imuniteteve. Kuvendi, nëpërmjet Komisionit të Ligjeve, të fillojë menjëherë nga puna në dritën e reformave kushtetuese në këtë drejtim dhe në bazë të rekomandimeve të paraqitura të propozojë ndryshimet e nevojshme për reformimin e imuniteteve në Shqipëri”, - u shpreh Topi. Ndër të tjera, ai theksoi se vendi ka nevojë urgjente reformimin e imunitetit, që barazia para ligjit të mos jetë vetëm parim i vënë në Kushtetutë. “Politikanë, gjyqtarë e zyrtarë të lartë ndihen të pakapshëm ndaj forcës së ligjit, nga imuniteti. Imuniteti është kthyer në koracë mbrojtëse të papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit. Zyrtarë të lartë shpesh e kanë përdorur imunitetin si mburojë ndaj hetimit dhe ndjekjes penale nga shkeljet e kryera prej tyre. Është e qartë për të gjithë se zhvillimet e shoqërisë e bëjnë të nevojshëm reformimin e sistemit të imunitetit”, - nënvizoi Presidenti në konferencën e djeshme.

Heqja e imunitetit të deputetëve

Ina Rama: T’i hiqet e drejta e hetimit Kuvendit

Për Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, e cila ishte e pranishme dje në konferencën e për reformimin e sistemit të imuniteteve të zyrtarëve të lartë, shqetësim të madh përbën zhvillimi i korrupsionit në radhët e funksionarëve të lartë publikë, në radhët e sistemit gjyqësor, si dhe për mosndëshkueshmërinë në nivelin e duhur të këtij fenomeni negativ në radhët e zyrtarëve të lartë dhe të gjyqësorit. “Duhet të parashikohet shprehimisht në ligj e drejta e gjykatës për të dhënë masën e arrestit ose kontrollit dhe ndalimi për ta ekzekutuar derisa të shprehet Kuvendi në lidhje me këto masa. Kjo lloj zgjidhje ligjore, në këndvështrimin tonë, lejon prokurorinë të mbledhë provat e nevojshme, lejon gjykatën të japë një vlerësim teknik bazuar në këto prova, si dhe lejon Kuvendin nga ana tjetër të japë një vlerësim politik nëse është dakord ose jo për arrestimin ose kontrollin ndaj deputetit, duke mos penguar ndërkohë ushtrimin e ndjekjes penale ndaj tij”, - deklaroi dje Rama. Sipas saj, “aktualisht ndodh që Kuvendi, para se të shprehet në lidhje me heqjen ose jo të imunitetit, vlerëson provat e marra nga Prokuroria në lidhje me përgjegjësinë penale të një deputeti, gjë e cila praktikisht e shtyn Kuvendin drejt funksioneve gjyqësore, rol të cilin në përputhje me Kushtetutën e ka dhe duhet ta ketë vetëm gjykata”.

Rekomandimet e PACA-s dhe Euralius-it

Ekspertët e Bashkimit Evropian në konferencën e djeshme prezantuan disa nga rekomandimet e tyre në lidhje me ndryshimet në Kushtetutë për heqjen apo kufizimin e imuniteteve të zyrtarëve të lartë. Ata u kërkuan deputetëve dhe të zyrtarëve të lartë të vendit që të shfuqizohet imuniteti i anëtarëve të Këshillit të Ministrave, i Avokatit të Popullit, i anëtarëve të Komisionit qendror të Zgjedhjeve dhe i kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Gjithashtu ata mendojnë që të shfuqizohet mbrojtja apo pacenueshmëria e deputetëve ndaj ndjekjes penale, të bëhen ndryshime në imunitetin e deputetëve nga arrestimi apo ndalimi dhe kontrolli, në mënyrë që imuniteti të zbatohet vetëm kur kërkohet nga Parlamenti, dhe vetëm kur mirëfunksionimi i këtij të fundit cenohet nga këto veprime. Të miratohen gjithashtu ndryshime në Rregulloren e Parlamentit, që të parashikojnë se Kryetari i Kuvendit, sapo të informohet mbi vendimin për arrestimin/ndalimin apo kontrollin, informon menjëherë kryetarët e të gjitha grupeve parlamentare. Të miratohen ndryshime në Kodin Penal, të cilat të reflektojnë reduktimin e imunitetit si pasojë e ndryshimeve kushtetuese, me qëllim që të ndalohet arrestimi ose privimi nga liria personale e çdo personi për të cilin është kërkuar zbatimi i imunitetit nga Parlamenti.

Pandeli Majko

“Çuditërisht sot është PD-ja, që ka bërë pikërisht atë që bëmë ne disa vite më parë, duke bërë një deklaratë të njëanshme, të moralshme për sa i përket problemit që ‘ne nuk kemi imunitet dhe që nuk mbrohemi nga imuniteti për çdo çështje që ka të bëjë me korrupsionin etj., etj’, duke e sjellë këtë si paralele të shembullit gjerman. Mendoj se këto këmbime pozicionesh në thelb paraqesin problemin e mosbesimeve që ekzistojnë nga palët prej kohësh”, - tha dje deputeti i PS-së.

Eduard Halimi

“Ti drejtohesh nevojës për ndryshime kushtetuese nënkupton të gjesh mënyrën më të vështirë të adresimit të zgjidhjes së një problemi. Për të mos thënë që merr në konsideratë edhe mundësinë për të mos arritur kurrë një gjë të tillë. Zgjidhja e kufizimit të imunitetit nuk duhet të vijë nëpërmjet rrugëve dhe zgjidhjeve të vështira, siç janë ndryshimet kushtetuese, por nëpërmjet rrugëve efikase ligjore, ashtu siç rekomandon Komisioni i Venecias”, - tha dje ministri i Drejtësisë.

Ardian Dvorani

“Nisma për kufizimin e imuniteteve duhet të fillojë vetëm me ndryshimin e Kushtetutës dhe për rrjedhojë pas kësaj mund e duhet të ndryshohen ligjet e tjera. Përndryshe ato do të ishin dukshëm të papajtueshme me Kushtetutën, do të ishin të pazbatueshme nga organet e ngarkuara, do të krijonin probleme serioze në raportet mes pushteteve dhe institucioneve dhe një rrezik jopotencial, por real të abuzimit me pushtetin”, - tha dje gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani në tryezën e imunitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›