E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wolfarth: Ngjarja e 21 janarit tregoi se policisë i duhet akoma punë

19/10/2011  Holanda, dhuratë policisë 5 automjete për menaxhimin e krizave

Një ceremoni e veçantë u mbajt dje në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pasi qeveria holandeze, e orientuar nga OSBE, i dhuroi kësaj të fundit 5 automjete për menaxhimin e krizave. Ndërkaq, në fjalën e mbajtur me këtë rast, kreu i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth, iu rikthye ngjarjeve të rënda të 21 janarit. Kreu i OSBE-së tha se ajo ngjarje tregoi dhe një herë se puna e policisë kërkon përmirësim të mëtejshëm. "Sistemi shtetëror ende vazhdon të sfidohet nga pasojat e kësaj ngjarjeje. Ajo çka ndodhi atë ditë thekson gjithashtu nevojën e qartë për përmirësimin e performancës së autoriteteve shtetërore, duke u fokusuar në këtë rast tek aftësia e Policisë së Shtetit për të kryer misione të kontrollit të turmave. Menjëherë pas demonstratave të dhunshme, Prezenca e OSBE-së vendosi ti ofrojë ndihmesë Policisë së Shtetit, në mënyrë që të garantohet një përballim më i mirë nga policia i demonstratave të dhunshme, si dhe për të ndihmuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më". Ai shtoi më tej se këshilltari i Lartë i Policisë në atë kohë, Klaas Los, ndihmoi në realizimin e kontakteve me policinë holandeze, të cilat rezultuan në një Mision për Vlerësimin e Nevojave në lidhje me kapacitetet e Policisë së Shtetit për të kontrolluar turmat, i cili nisi dhe u realizua menjëherë më pas. Wollfarth tha se Policisë së Shtetit i duhen përgjithësisht tri gjëra bazë: përkushtimi, trajnimi dhe pajisjet, duke shtuar se asnjëra prej tyre nuk mund të funksionojë në mënyrë efikase pa praninë e tjetrës. Ai theksoi se, kur policia përballet me ngjarje potencialisht të dhunshme, këto tri elemente bëhen më vendimtare se kurrë dhe se Policia e Shtetit duhet të pajiset me mjetet e nevojshme për të kryer punën e vet. Sipas tij, dhurata e automjeteve është bërë për të përballuar kryesisht menaxhimin e krizave. Ndërkaq, të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministri i Brendshëm, Bujar Nishani; drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj; zv/ambasadori i Holandës, Hans Teunissen, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›