Heqja e imunitetit/Berisha: Edi Rama s’mundet, se nuk e lënë miliarderët e grupit parlamentar
Heqja e imunitetit është padyshim një nga objektivat parësor të qeverisë, për vetë rëndësinë që ka kjo çështje në procesin e integrimit të vendit. Për këtë arsye, Kryeministrit Berisha i bëri thirrje lidershipit socialist, Edi Rama që “të mos dëgjojë zërin e këshillit të miliarderëve të partisë, por zërin e socialistëve të thjeshtë”.
Referuar vendimeve që përfshiheshin në rendin e ditës, siç ishte ligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, organizimin dhe funksionimin e konferencës gjyqësore kombëtare, ligji për deklarimin e pasurive, ku zgjerohet spektri i veprimit të tij dhe kompetencat e ILDKP-së, ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, sërish sipas Berishës, asnjëri prej këtyre ligjeve nuk mund të zëvendësojë atë për heqjen e imunitetit.
“Unë e ftoj nga kjo mbledhje Edi Ramën, i cili është përcaktuar në mënyrën më të përsëritur këto muajt e fundit, të mos dëgjojë më këshillin e miliarderëve të partisë, por zërin e socialistëve të thjeshtë, të mos dëgjojë më nënkryetarin në hije të PS që mbron pasuritë e tij dhe aspak interesat e qytetarëve shqiptarë. Pasuritë e tij le ti mbrojë, në mënyrë ligjore, por jo me imunitetin e të tjerëve. Të bëjë zgjidhjen Edi Rama, midis imunitetit të Tom Doshit dhe interesave të ngushta të socialistit që ka 20 vjet që e voton dhe robtohet pas tij dhe që është jo një, por qindra mijëra. Të mos dalë nga tribuna në tribunë, të vajtojë e ligjërojë për varfërinë. Korrupsioni është faktori kryesor në një vend të lirë që nxit varfërinë. Ai vetë nuk ka imunitet. Nuk mund të them se e ka për veten e tij, por nuk e lë këshilli i miliarderëve. Ata janë vendimmarrësit më kryesorë në PS. Janë fabrika e mendimit, apo mashtrimit që i mban pas vetes. Ata janë për të blerë klikime. E morët vesh se çka ndodhur? Ata blejnë klikime. 3 euro për 1 mijë klikime. Po pse, për këtë duhen ata? Paska një qendër që shiska klikime dhe kështu u na bë dhe kryebashkiaku më i votuar. Po të fusësh 1 mijë euro, del pastaj si më i votuari, por ja që s’donin shqiptarët ashtu”, u shpreh kryeministri Berisha.