E Diel, 1 Nëntor 2026

Heqja e mandatit të Beqjas, Kushtetuesja zbardh vendimin

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin me të cilin i hoqi mandatin deputetit të Partisë Socialiste Ilir Beqja.  Në vendimin e saj, Kushtetuesja thekson se momenti i fillimit të mandatit, i cili lidhet me shpalljen i zgjedhur të deputetit nga komisioni përkatës (neni 70 i Kushtetutës), nuk duhet të ngatërrohet me momentin e ushtrimit të mandatit, i cili lidhet me bërjen e betimit (neni 72 i Kushtetutës). “Një interpretim i kundërt do t`i hapte rrugën situatave abuzive të shtyrjes në kohë të momentit të betimit dhe përfitimit të fondeve publike, si rezultat i mungesës së pengesave kushtetuese” thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Heqja e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste të qarkut të Shkodrës u kërkua nga një grup deputetesh të PD- së të cilët duke iu referuar nenit 70 pikës 3 të Kushtetutes argumentuan se një deputet nuk mund të përfitojë fonde publike. Sipas maxhorancës Beqja kishte shkelur ligjin dhe Kushtetutën, duke përfituar 24 milionë nga Bashkia Durrës, ndërsa kishte mandat që prej 1 gushtit 2009.

Sipas argumentave te paraqitura nga mazhoranca rezultoi se deputeti Ilir Beqja, pasi kishte marrë mandatin e deputetit nga KQZ, kishte përfituar nga Bashkia Durrës tenderin me 97.7% të vlerës së fondit limit dhe se vete Beqja në shoqërinë përfituese të tenderit në fjalë kishte qenë aksioner me 51% të aksioneve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›